Nga Alfred Peza
Vitin e ri politik nuk pritet ta dominojë vetëm procesi i zgjedhjeve të përgjithëshme parlamentare të 25 prillit, por edhe disa zhvillime të tjera kyçe, që do të jenë përcaktuese për të ardhmen. Për shqiptarët si edhe për mbarë njerëzimin, 2021 pritet të jetë viti i rikthimit të normalitetit të jetës social- ekonomike dhe politiko- shoqërore të vendit, nga pandemia globale.
Nëse biem dakord me përcaktimin e revistës “TIME” se 2020 ishte viti më i keq për këtë brez, atëherë na duhet të evidentojmë disa nga zhvillimet që pritet ta dominojnë jetën social-ekonomike e atë politiko- shoqërore të Shqipërisë në vijim, që të kuptojmë sesi do të jetë i riu. Mes gjithë pritshmërive, pesë prej zhvillimeve kryesore në 365 ditët e ardhëshme, do të jenë më përcaktueset.
Së pari, vaksinimi i popullsisë për mbrojtjen nga virusi vrasës covid-19, pritet të jetë operacioni më i madh e kompleks, përgjatë vitit të ri. Edhe Shqipëria është pjesë e saj, me shpresën për të siguruar sa më shpejt, mbrojtjen për një numër sa më të madh qytetarësh nga armiku i padukshëm.
Jemi pjesë e nismës “Covax” e cila është një strukturë globale për qasjen në vaksinat Covid-19, ndërkohë që BE ka garantuar 6 vendet e Ballkanit Perendimor se do të trajtohen si qytetarët e shteteve të tyre anëtare. Kjo tregon se ne nuk jemi vetëm, por edhe se shtetet më të pasura kanë kuptuar, se në epokën e globalizimit jemi tepër të ndërvarur nga njëri- tjetri.
Së dyti, shpejtësia e realizimit të këtij procesi, është përcaktues për rikthimin e normalitetit në lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Kjo do rikthente normalitetin e funksionimit të tregut ndërkombëtar e lokal, duke sjellë klimën e nevojshme për relaksimin e sistemit fiskal përmes vijimit të ciklit të pandërprerë të punës dhe jetës social ekonomike.
Në Shqipëri kjo do mundësonte ringritjen e shpejtë, të njërës prej degëve më të rëndësishme të ekonomisë sonë kombëtare; turizmit. Rikthimi i normalitetit në funksionimin e kësaj industrie, do të ndihmojë në rivitalizimin edhe të mjaft sektorëve të tjerë të lidhur me të, sidomos në fshat; bujqësinë e blegtorinë. Krahas turizmit të brendshëm dhe atij ndërshqiptar, kjo rikthen klientelën rajonale dhe atë ndërkombëtare.
Së treti, projekti i rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në trekëndëshin e qarqeve Durrës- Tiranë- Lezhë, ka hyrë në fazën e vet më të rëndësishme. Industria e ndërtimit e lidhur me të, si një ndër tri kolonat kryesore të ekonomisë sonë kombëtare, pritet të mbajë kësisoj sërisht barrën kryesore të punësimit dhe të rritjes ekonomike në vend. Sipas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja pritet të jetë në kufijtë mes 5 dhe 6%.
Deri tani rreth 1000 familje kanë hyrë në shtëpitë e reja dhe dhjetra kopshte e shkolla janë gati të mirëpresin fëmijët para përfundimit të këtij viti shkollor. Ndërkohë që deri në maj, edhe rreth 1500 familjet e fundit do dalin nga çadrat, për tiu rikthyer jetës normale përmes një strehimi optimal si edhe përpara tërmetit. Injektimi në treg i rreth 1.15 miliardë eurove për këtë proces, do të jenë një ndihmë e pazëvendësueshme, në procesin e ringritjes së shpejtë të ekonomisë shqiptare në tërësi.
Së katërti, pas rikthimit të normalitetit në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese me 7 anëtarë të betuar, përgjatë dhjetorit 2020, u hodh një hap i jashtëzakonshëm në ngritjen përfundimtare të sistemit të ri të drejtësisë në Shqipëri. Brenda javëve të para të 2021, pritet të funksionojë plotësisht dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), një hap që shënon triumfin e kësaj reforme historike.
Së pesti, procesi i 25 prillit është i 10-ti në ciklin e zgjedhjeve parlamentare pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Rezultati i tyre kur PS e vetme synon fitoren e mandatit të tretë qeverisës radhazi, përballë të gjitha partive të tjera opozitare, do të jetë përcaktues për shumë zhvillime të ardhëshme. Shqiptarët do zgjedhin mes vijimësisë në rrugën e ringritjes pas tërmetit, pandemisë dhe funksionimit të sistemit të ri të drejtësisë, apo rikthimit të Sali Berishës dhe Ilir Metës në pushtet për herë të tretë në 30 vjet!
Ndaj 2021 është një vit sfidues dhe me shumë enigma, por mbi të gjitha me më shumë shpresë dhe optimizëm për të lënë sa më shpejt pas, një 2020 të dhimbshëm nga ana e humbjeve njerëzore dhe e shumë mungesave dhe pengesave të tjera.
GËZUAR!