Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo ka përshëndetur emërimin e znj. Olta Xhaçka në detyrën e Ministres së Punëve të Jashtme. Ky është ndër rastet e rralla që Sekretari amerikan I Shtetit përshëndet emërimin në detyrë të një ministri të jashtëm. Përmes një postimi në “Twitter”, Sekretari Mike Pompeo thekson se znj. Xhaçka ka qenë një partnere e fortë në rolin e saj të mëparshëm si ministre e Mbrojtjes, ndërsa mirëpret bashkëpunimin e mëtejshëm në detyrën e re.

“Kënaqësi të dëgjoj për emërimin e Olta Xhaçka si ministrja e re e Jashtme e Shqipërisë. Ka qenë një partnere e fortë në rolin e saj të mëparshëm si Ministre e Mbrojtjes, ndaj mirëpresim bashkëpunimin e mëtejshëm me të për të zgjeruar lidhjet SHBA-Shqipëri ndërsa Shqipëria përparon drejt BE”, u shpreh Sekretari Amerikan I Shtetit. Nga ana e saj, Ministrja Olta Xhaçka, teksa e falenderon për urimin shpreh gadishmërinë për të punuar ngushtë për konsolidimin e partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA. “Faleminderit, sekretar Pompeo! Këto fjalë me të vërtetë nënkuptojnë shumë! Jam krenare për miqësinë midis vendeve dhe njerëzve tanë, thellësisht mirënjohëse për “mbështetjen e SH.B.A.-së për Shqipërinë”, dhe e lumtur që mund të luaj një rol modest për ta bërë partneritetin tonë më të fortë! Unë pres me padurim që të punojmë ngushtë me SHBA në zgjerimin dhe konsolidimin e partneritetit tonë strategjik më tej! Z. Sekretar, më lejoni t’ju uroj një Vit të Ri dhe një ditëlindje të gëzuar”, shkruan si përgjigje në urimin e Sekretarit amerikan të Shtetit ministrja Olta Xhaçka.