Produktet tradicionale dhe me tregues gjeografikë kanë një potencial të lartë për avancimin e zhvillimit rural dhe jetesës rurale.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Ushqimit (FAO) dhe në partneritet me Fondacionin Polak “Original” po punojnë me aktorët e tregut, për rritjen e standardeve kombëtare “made in Albania” në marketing, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare të Bashkimit Europian me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve tipike shqiptare për eksport.

Një udhëzues sintezë për zbatimin e standardeve të sektorit të marketingut, së bashku me një seri trajnimesh për treguesit gjeografikë specifikë, shkëmbimin e njohurive dhe eksperiencës, kanë kontribuar për avancimin e vendit dhe përafrimin e praktikave të tij bujqësore, në përmbushje të standardeve në marketing të Bashkimit Europian, dhe në mbështetje të zbatimit të një ligji të ri mbi treguesit gjeografikë

Në të gjithë Bashkimin Europian, produktet tradicionale dhe me tregues gjeografikë janë shumë të njohur tek konsumatorët. Në të njëjtën kohë, ato kontribuojnë në zhvillimin e zonave rurale dhe mbrojnë trashëgiminë kulinare të zonave ku ato prodhohen.

Për të mundësuar që Shqipëria të përfitonte nga ky modalitet, FAO dhe Fondacioni Polak rritën ndërgjegjësimin e prodhuesve dhe specialistëve të bujqësisë rreth përfitimeve, rregullave dhe procedurave që lidhen me regjistrimin, mbrojtjen dhe dallimin e produkteve të tilla.

Përmes një serie trajnimesh në të gjithë vendin, ata mësuan rreth marketingut efektiv, promovimit dhe logjistikës, teknologjive të reja në tregti, të tilla si tregtia elektronike, dhe krijimit të grupeve dhe organizatave prodhuese.

“Për shkak të pandemisë së COVID-19, një pjesë e trajnimeve u zhvilluan virtualisht, dhe zyrtarët dhe partnerët shqiptarë morën mbështetje të mëtejshme përmes takimeve në internet,” tha Arben Kipi, Asistent Përfaqësuesi i FAO-s në Shqipëri.

Për më tepër, dy trajnimet u përqëndruan specifikisht në shitje të produkteve tradicionale, ku përfaqësues të fondacionit prezantuan eksperiencën polake në përdorimin e kanaleve të ndryshme shpërndarëse për shitje dhe promovimin e produkteve tradicionale.

Pjesëmarrësit mësuan se si Polonia u përshtat me rregulloret e BE, dhe si e zhvilloi sistemin e saj të treguesve gjeografikë (i përbërë deri tani nga 43 produkte të regjistruara) dhe produkteve tradicionale.

“Takimet e drejtpërdrejta me prodhuesit dhe partnerët gjatë trajnimit të parë të organizuara në pjesë të ndryshme të Shqipërisë ishin të frytshme,” vuri në dukje Dmitry Zvyagintsev, oficer i politikave të FAO.

Kjo u dha mundësi folësve të paraqesin shembuj të produkteve të regjistruara brenda Bashkimit Evropian, kërkesat që duhen përmbushin dhe përfitimet e regjistrimit, siç i kanë provuar prodhuesit në Poloni. Mund të përmendim këtu si shembull rastin e Jabłka Grójeckie (mollët Grojec) ose ëmbëlsira Rogal Śëiętomarciński (brioshi i Shën Martinit).”

“Takimet gjithashtu theksuan pasurinë dhe diversitetin e produkteve rajonale dhe tradicionale shqiptare, të cilat duhet të mbrohen dhe promovohen përmes sistemeve të tilla cilësore,” shtoi Zvyagintsev.

Për këtë qëllim FAO Shqipëri, ka përdorur një pjesë të fondeve të saj eficiente, quajtur Fondi Multidisiplinar, në rritje të promovimit të produkteve me tregues gjeografikë në kuadër të procesit të përafrimit të vendit me Bashkimin Evropian.

Ndërkohë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me institucionet e linjës, kanë listuar produktet tradicionale vendase që përfshijnë bimë, kafshë, veshje dhe ushqime dhe pije tipike, për secilin nga 12 rajonet e Shqipërisë, promovimi i të cilave i shërben edhe njohjes më të mirë mes rajoneve shqiptare dhe zhvillimit të eksportit.