Investimi në makineri të reja bujqësore, ndërtimi i serrave dhe modernizimi i procesit të prodhimit në një fermë pulash janë vetëm disa raste ku mbi 200 përfitues të programit IPARD tashmë kanë marrë mbi 6.2 milionë euro mbështetje. Zyra e Bashkimit Europian në Shqipëri i bën apel të gjithë fermerëve që duan të përfitojnë nga thirrja e fundit e IPARD, të aplikojnë me projektet e tyre zhvillimore në bujqësi që nxisin prodhimin, punësimin dhe të ardhurat për ekonominë fermere. Programi i Zhvillimit Rural, në kuadër të instrumentit të ndihmës para anëtarësimit të Shqipërisë në BE, me një buxhet mbi 71 milionë euro, synon të ndihmojë në përmirësimin e aftësive konkurruese të bujqësisë shqiptare dhe nxitjen e punësimit përmes krijimit dhe ruajtjes së vendeve të punës, përmes zhvillimit të aktiviteteve të biznesit në zonat rurale. Përmes këtij programi në Dushnik të Beratit, ka mbështetur ndërtimin e një serre të re me një sipërfaqe mbi 55 mijë m2 dhe ndërtimin e një sistemi ngrohje bashkëkohore.
Fatos Konaçi tregon se, është kthyer para 15 vitesh nga emigracioni dhe merret me kultivimin e perimeve në serra.
“Mbështetja që kam marrë për këtë investim më ka ndihmuar të rris prodhimin e perimeve në serra dhe të ardhurat financiare”- tha Konaçi. Gjithashtu thekson ai, kemi rritur potencialin e produkteve cilësore duke zgjeruar eksportin e perimeve nga serra jonë jashtë vendit dhe siç shprehet Konaçi “këtë e kam arritur falë mbështetet së programit IPARD me fondet e BE-së, pasi për ne do të ishte e vështirë për shumë vite që ta realizonim këtë investim”. Ndërsa në Devoll të Korçës, ky program mbështeti investimin për blerjen e makinerive dhe teknologjive bujqësore si dhe zhvillimin e plantacioneve të reja me fidanë molle. Faris Stergu fermer nga Korça tregon se, pas marrjes së mekanikës bujqësore u është lehtësuar shumë puna në bujqësisë.
“Për të rritur prodhimin do të shtoj sipërfaqet e tokës së punueshme me mekanikë dhe do të shtoj numrin e të punësuarve”- thotë ai. Ndërsa në Boboshticë një fermë vendore pulash u mbështet për investimin me një dhomë të re frigoriferike. Jani Kapurani sipërmarrësi i kësaj ferme shprehet se pas investimit ka pasur një ndryshim rrënjësor në pjesën më të madhe të proceseve të prodhimit dhe cilësisë së tij.