Kryeministri Rama foli për procesin e rindërtimit pas tërmetit. Ai tha se brenda 6 muajve të parë të vitit të ardhshëm do përfundojnë 4500 shtëpi individuale. Ndërsa duke folur për investimet publike, kryeministri u shpreh se deri në pranverë mund të përfundojnë punimet në aeroportin e Kukësit.
“Sot kemi disbursuar 289.5 mln euro grante dhe 250 mln të tjera hua nga konferenca e donatorëve. Pa përfshirë 25 mln euro transferta direkte në buxhet. Janë 28 miliardë lekë që janë vendosur për procesin e rindërtimit. 28 kantiere që kanë filluar ose janë në proces. E gjithë puna e rindërtimit prek shumë më tepër se gjithë familjet e prekura drejtëpërdrejtë. Janë 1000 shtëpi të reja që hapin dyert deri pasnesër për të kaluar Vitin e Ri në një hapësirë të re. Në mars përfundojnë 2500 shtëpi të tjera. Janë 4500 shtëpi që do të përfundojnë brenda 6 muajve të vitit të ardhshëm. Janë 13 mijë familje që marrin bonus qiraje. Marrëveshja për kantierin e energjisë diellore në Karavasta do të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm. Po shkon mirë puna në aeroportin e Kukësit dhe besoj se deri në pranverë do të hapet për fluturime. Jemi në rrugë të mbarë për rregullimin e infrastrukturës në portin e Vlorës ku do të bëhet një port turistik” – tha Rama.