Ministria e Financave dhe Ekonomisë, së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, zhvilloi aktivitetin me temë: “Informimi i Sektorit Eksportues të Produkteve Bujqësore mbi Statusin e Operatorëve Ekonomik të Autorizuar (OEA) për Biznesin”, me qëllim njohjen mbi rëndësinë e këtij statusi, si dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vendin tonë. Vendet anëtare të Marrëveshjes CEFTA kanë negociuar Protokollin Shtesë 5, i cili synon krijimin e sinergjive midis vendeve të rajonit për lehtësimin e tregtisë.
“Çfarë ka në thelb ky protokoll? Në fakt është pjesë e një protokolli të vendeve të Ballkanit Perëndimor, brenda vendeve të CEFT-ës dhe Moldavisë, e cila vjen në këtë protokoll me faktin që 144 operatorë në Moldavi kanë këtë status. Çfarë ju mundëson? Një akses të menjëhershëm në të gjithat pikat doganore me anë të një licencë për të gjitha kompanitë që eksportojnë në çfarëdolloj fushe si fason, agro-industri, bujqësi, ku ekziston nevoja për të qarkulluar përtej një vendi, që mund të jetë vendi më i afërt, por edhe në vende të tjera ku kjo marrëveshje brenda BE-së njihet”, ka shpjeguar Denaj.
Sipas ministres, CEFTA është një organ që ndihmon vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në kontekstin ekonomik në Evropë dhe të gjitha protokollet janë aty për të na e bërë këtë rrugëtim të lehtë në momentin që do të ndodhë formalisht.
“Kjo ndihmon në mënyrë absolute në zhvillimin ekonomik, ndihmon reputacionin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe përtej përmirësimeve të dukshme që kanë ndodhur këto vite sepse kemi shumë procese që janë automatizuar si “Dogana pa letra” dhe shumë të tjera online. Ky element që vjen brenda këtij kuadrit rajonal dhe atij evropian e ndihmon eksportuesin për të shkuar më shpejt në destinacion”, theksoi Denaj.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë është e angazhuar maksimalisht të japë ndihmesën e saj në krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për biznesin në Shqipëri, si dhe t’i japë një hov sipërmarrjes shqiptare në këtë kuadër, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin edhe Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Genti Gazheli, si dhe përfaqësues të biznesit, të cilët vlerësuan këtë iniciative dhe marrëdhënien me administratën doganore.