Tiranë, 29 Dhjetor- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një lidhje direkte me Top Channel, tha se Shqipëria është një nga shtetet që ka financuar për vaksinën anti-covid, duke treguar se po punohet në disa drejtime për sigurimin e vaksinës. “Jemi duke punuar në disa drejtime për sigurimin e vaksinës. Nëpërmjet mekanizmit Covax ne jemi një nga 90 shtetet që kemi financuar për vaksiën dhe presim një mbulesë për 20% të popullatës. Sapo të vijë vaksina efektive dhe e çertifikuar do të fillojmë vaksinimin me grupet prioritare siç janë mjekët, infermierët apo grupet e riskut”, tha Manastirliu. Manastirliu bëri me dije se janë pranë një marrëveshje me kompaninë Pfizer, ndërkohë që po negociohet me Astrazenikan dhe Moderën, duke bërë me dije zotërojnë dhe kapacitetet për llojet e ndryshme të vaksinave.

“Jemi afër një marrëveshje me Pfizer. Jemi duke negociouar me kompaninë Moderna dhe Astrazenika. Janë disa lloje vaksinash që kërkojnë zinxhir ftohës të ndryshëm dhe ne zotërojmë kapacitetet për llojet e ndryshme të vaksinave. Për Pfizer kemi disa frigoriferë që janë të disponueshëm. Për Modernën kemi në dispozicion depon e barnave të Agjensisë Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore apo dhe të Institutit të Shëndetit Publik, ndërsa për Astrazenika kemi kapacitete të shtrira në të gjithë territorin”, tha Manastirliu. Manastirliu gjatë lidhjes direkte në Top Channel, tha se mund të kemi një kombinim të vaksinave në varësi të disponibilitetit, sigurisë dhe efikasitetit duke theksuar se kryerja e vaksinës covid nuk do të jetë e detyrueshme.

Duke folur për situatën, Manastirliu tha se kemi qëndrueshmëri të situatës epidemiologjike duke pasur parasysh rastet ditore, të shtruarit në spitale apo dhe fatalitetet. Në fund të bisedës, Manastirliu ka bërë një thirrje për qytetarët për te respektuar rregullat dhe të mos e ulin për asnjë moment vigjilencën. “Kam një thirrje për qytetarët që të mos e ulin për asnjë moment vigjilencën edhe në këto ditë të fundit të vitit. Të kufizojnë sa më shumë kontaktet, të festojnë me familjen e tyre dhe të respektojnë rregullat, pasi vetëm kështu do t’ja dalim të kufizojmë përhapjen e infeksionit”, bëri thirrje Manastirliu.