Ambasada ruse në Tiranë i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama lidhur me komentin e tij për vaksinën Spuntik V. Në një postim në mediat sociale, ambasada ruse deklaron se nuk e kupton pse është mërzitur Rama nga komenti i tyre që është bërë pak ditë më parë. “Është e vështirë të kuptohet pse Kryeministri i nderuar i Shqipërisë z. Edi Rama u mërzit kaq shumë nga komenti i Ambasadës së Rusisë në faqen e saj në Facebook më 28 dhjetor të këtij viti.

Ambasada vetëm reagoi ndaj re-twitit të Drejtorit të Komunikimit të Kryeministrit, z. E. Fuga, në lidhje me fillimin e vaksinimit kundër Covid-19 në vendet anëtare të BE-së dhe deklaratës e vetë të kreut të Qeverisë së Shqipërisë në konferencën e tij për shtyp në 24 dhjetor, gjatë së cilës ai përmendi vështirësitë në sigurimin sa më shpejt të jetë e mundur e sasisë së nevojshme të vaksinave për popullatën e vendit”, shkruan ambasada.

Më tej selia diplomatike e Rusisë në Shqipëri deklaron se “i vjen keq që vullneti i mirë i Rusisë, i shprehur publikisht, interpretohet si veprime provokuese. Për t`u bindur që nuk është kështu, mjafton të njiheni me tekstin e komentit”.

Në fund thuhet se Moska nuk u vë asnjë kusht partnerëve potencialë të cilët kërkojnë të blejnë vaksinën e prodhuar prej tyre

“Në komentin e Ambasadës bëhej fjalë për gatishmërinë e institucionit rus të autorizuar – Fondit të Investimeve Direkte – për të shqyrtuar aplikimet nga çdo vend i interesuar për blerjen e vaksinës ruse kundër koronavirusit, përfshirë Shqipërinë. Në Rusi nuk ka dyshime se bashkimi i përpjekjeve të të gjitha shteteve, që kanë kryer kërkime shkencore dhe kanë teknologjitë përkatëse, do të ndihmojë njerëzimin të kapërcejë këtë fatkeqësi dhe të kthejë qytetërimin në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. Në të njëjtën kohë, Moska nuk u vë asnjë kusht partnerëve potencialë”, mbyllet reagimi i ambasadës.

Një ditë më parë Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ofrimin e vaksinën nga Rusia e quajti një meme dhe shtoi se gjëra të tilla nuk mund t’i bëjë një shtet serioz.