Në Vlorë po punohet me ritme të larta për ndërtimin e bypass-it, një prej veprave më spektakolare të infrastrukturës kombëtare. Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me punimet që po kryhen në këtë bypass të urës së tretë.

Mirëmëngjes dhe me këto 60 sekonda spektakolare nga kantieri i Bypass-it të Vlorës, aty ku po ndërtohet Ura 3, ju uroj një fundjavë të mbarë, – shkruan Rama. Bypass-i i Vlorës po ndërtohet me standardet më të mira dhe parametrat më të lartë të sigurisë. Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.

Vepra është financim i BERZH, BEI dhe BE-së me vlerë rreth 37 milionë euro. Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me impaktin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës. Ajo nis nga Rrethrrotullimi, në fund te autostradës Levan-Vlorë. Në çdo 1.5 kilometër të kësaj rruge është parashikuar vendpushimi për automjetet. Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e gjithë zona do të kthehet në një super destinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit europian.