Conte, Ausilio dhe Marotta kokë më kokë. Sot trajneri i Interit dhe dy drejtuesit, përgjegjës për merkaton, do të takohen së bashku dhe nuk përjashtohet mundësia që me ta të bisedojë edhe presidenti i klubit italian, Steven Zhang.
Sigurisht merkato është tema më e ndjeshme dhe nga përtej Adriatikut janë të bindur se Interi blen nëse shet lojtar. Bilanci është i rëndësishëm, pasi zikaltrit u eliminuan edhe nga Champions League dhe tani do të fokusohen vetëm te kampionati.
Ëndrra e Interit e ka emrin Rodrigo De Paul, mesfushori argjentinas i Udineses. Ai kërkohet nga klube të ndryshme në Angli dhe në Itali edhe Juventusi i është vënë pas. Mënyra e transferimit? Huazim për 18 muaj me detyrim blerje më pas. Udinese e ka në dorë…
Që Interi të bëjë merkato do të duhet të shesin. Christian Eriksen është një nga lojtarët që mund t’u japë të ardhura të rëndësishme. Raidja Nainggolan gjithashtu nuk është pjesë e planeve, sikurse sulmuesi Pinamonti.
Gervinho është në listën e lojtarëve që Conte do të donte në skuadër, ndërkohë sa i takon Papu Gomez, tek Interi janë të gatshëm të lëvizin vetëm nëse Atalanta e lëshon atë me parametra zero. Fantazisti është 33 vjeç dhe Marotta nuk ofron para për një transferim të argjentinasit.