Kryeministri Rama deklaroi sot në konferencën online me gazetarët se, “zerimi i taksave nga 1 janari për biznesin e vogël në Shqipëri përbën lehtësimin më të madh të ndodhur në të gjithë rajonin”.
“Ne kemi dhënë paketën më të madhe ndihmëse në historinë e vendit dhe të rajonit duke bërë të mundur për të gjitha bizneset e vogla dhe të vogla jo siç konsideroheshin deri pak kohë më parë, por të vogla siç konsiderohen sot me xhiro deri në 140 mijë dollarë në vit që të ketë zero taksë mbi fitimin duke filluar nga 1 janari. Është lehtësimi më i madh i mundshëm dhe faktikisht është lehtësimi më i madh që ka ndodhur në të gjithë rajonin. Nuk ka asnjë vend në rajon se s’po shkoj më tutje se aty s’ka e s’ka, nuk ka asnjë vend të rajonit ku biznesi i vogël të mos paguajë asnjë qindarkë taksë mbi fitimin dhe asnjë qindarkë TVSH për xhiron deri në 100 mijë dollarë në vit, nuk ka. Kështu që lehtësim dhe paketë më të madhe mbështetëse se kjo për biznesin nuk ka askund tjetër”, tha Rama.
“Duhet bërë mirë llogaria në të dyja dimensionet. Njëri është dimensioni që çfarë shteti dhe qeveria ka dhënë drejtëpërdrejtë në cash por edhe çfarë ka hequr nga arka e vet për t’ja lënë arkës së biznesit apo qytetarit. Kështu që është absolutisht e padiskutueshme që impakti i kësaj mase për biznesin e vogël do të jetë jashtëzakonisht pozitiv dhe nuk është një masë që do të qëndrojë aty nga janari deri në prill për zgjedhjet por është një masë që do të qëndrojë aty deri në vitin 2029 minimalisht’’, vijoi më tej kryeministri.
Lidhur me çmimin e karburantit, Rama u shpreh se “në çmimin e karburantit në Shqipëri është brenda e gjithë struktura edhe e taksës së qarkullimit dhe kështu me radhë. Nëse i ndajmë këto siç i kanë të ndara vendet e tjera ku paguhet dy herë dhe nuk paguhet një herë, atëherë vijmë në parametrat mesatarë të çmimit kudo. Pra, në vendet e tjera paguhet dy herë. Shkohet paguhet veç taksa e qarkullimit dhe paguhet veç në litrin e konsumit të karburantit. Këtu është e integruar. Është e integruar qysh në qeverinë paraardhëse dhe është një nga të paktat gjërat e mençura që ka bërë qeveria paraardhëse. Për këtë arsye, çmimi është më i lartë por jo se në tërësinë e vet i kushton më shumë këtu qytetarit që konsumon naftë sesa jashtë sepse jashtë paguajnë veç. Është thjeshtë një çështje strukturore e çmimit’’.