Një grup të rinjsh kanë vizituar këtë fundjavë kalanë më të vjetër të Tiranës e njohur ndryshe si kalaja e Dorëzit. Kalaja e Dorëzit, rreth 20 km në jugperëndim të Tiranës dhe afro 5 km në Lindje të Pezës. Specialistët e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit kanë informuar se në kuadër të misionit për zbulimin e shtigjeve historike dhe Tiranës rurale, të rinjtë kanë vizituar duke ecur përmes Baldushkut, Dorëzit dhe Pezës, 3 zona me tradita por dhe natyrë fantastike. Specialistët e APR-së kanë bërë apel për t’u njohur me aplikacionin Tirana Ime Outdoor i cili i jep fund mungesës së informacionit orientues për aktivitetet rekreative të kohës së lirë për qytetarët dhe vizitorët e Tiranës.
Ideja u propozua nga APR – Bashkia Tiranë në GoTirana Smart City dhe u jetësua për të ofruar një informacion të përditësuar, në një klik të vetëm, të destinacioneve, mundësive e propozimeve për jetesë të gjelbër, shplodhje aktive dhe rigjenerim e meditim pranë natyrës. Aplikacioni TIO shërben si një udhërrëfyes me informacione të detajuara mbi destinacione të reja natyrore, shtigje në harta orientuese për të pasionuarit pas ecjes, ngjitjes dhe pedalimit, vendndodhjen e shesheve rekreative gjithëpërfshirëse të nismës Luaj@Tirana, rezervime të Fushave Multisportive, Teatrit të Hapur në Parkun e Madh dhe Instalacionin Reja,kalendarin e aktiviteteve rekreative që zhvillohen jashtë e në natyrë për të gjitha grupmoshat; pika interesi outdoor; gjithçka në gjuhën shqipe dhe angleze. Busull në gishtat dhe ekranin e smartphone tuaj për të zgjeruar horizontin dhe interesin për jetesë aktive dhe të shëndetshme’, njofton bashkia e Tiranës.
Kalaja e Dorëzit Kalaja e Dorëzit përfaqëson qendrën e vetme urbane të pellgut të Tiranës me vazhdimësi jete shumë të gjatë, e njohur nga vendasit me emrin Qytezë. Gjurmët e para të banimit i takojnë periudhës së bronzit (shek. XIV-XIII p.e.s.). Rrënojat e saj mbulojnë një nga kuotat më të larta në vargun e kodrave të shkëputura nga malet e Krrabës në lartësinë 479 m nga niveli i detit.
Për ndërtimin e kalasë është zgjedhur një pllajë e pjerrët ku afro gjysma nuk është e rrethuar me mur, por është e mbrojtur nga shkëmbi natyral. Muri rrethues i saj, shtrihet në të gjithë pjesën jugore të një kodre shkëmbore dhe është afërsisht 300 m i gjatë, nga lindja në perëndim. Sistemi i fortifikimit të kësaj qendre ka tre teknika të ndryshme ndërtimi të mureve: E para ndërtuar me gurë të papunuar (periudha e bronzit), e dyta me blloqe të gdhendur të vendosur në të thatë (periudha helenistike) dhe e treta që ndjek të njëjtën trase me të dytën është e ndërtuar me gurë të thyer të lidhur me llaç antikiteti i vonë, shek. IV-VI.
Në Dorëz materiali arkeologjik gjendet edhe gjatë fillimeve te pushtimit romak.Me pushtimin romak, ky qytet si gjithë qytetet e qytezat e Ilirisë së Jugut pati të njëjtin fat braktisje, për t’u rikthyer aty pas 6 shekujsh. Fragmente muresh të tjera të një periudhe më të vonë, tregojnë se qyteti i hershëm ilir ka qenë i banuar deri në kohët e vona antike.