Nga Max Boot/

Sfida – dhe mundësia – për Joe Biden është që pason Presidentin më të keq në historinë e SHBA.

Mandati i Donald Trump u karakterizua nga paaftësi kolosale dhe indiferencë tronditëse për të mirën publike. Menaxhimi i tij ndaj koronavirusit ka rezultuar në më shumë se 24.1 milion raste në Shtetet e Bashkuara dhe pothuajse 400,000 vdekje – është parashikuar të tejkalohen 500,000 vdekje deri në maj. Ndërsa po shihte humbjen më të rëndë të jetëve njerëzore që nga gripi i madh i vitit 1918, Trump udhëhoqi gjithashtu papunësinë më të keqe që nga Depresioni i Madh. Ai është Presidenti i parë në historinë moderne që ka parë një humbje neto të vendeve të punës gjatë kohës së tij në detyrë.

Vetë këto statistika – aq katastrofike sa janë – mezi sa pasqyrojnë dështimet e Trump, të cilat ishin po aq morale sa menaxheriale.

Ai ishte Presidenti më i pandershëm ndonjëherë: Ai prodhoi më shumë se 30,000 gënjeshtra të dokumentuara.

Ai ishte Presidenti më i korruptuar ndonjëherë. Ai përdori zyrën e tij për të pasuruar bizneset e tij, ndërhyri në hetimet e Departamentit të Drejtësisë, u angazhua në pengimin e drejtësisë, sulmoi Kongresin, refuzoi të lëshojë deklaratat e tij të taksave, spastroi inspektorët e përgjithshëm dhe i fali miqtë dhe bashkë-komplotistët e tij.

Ai ishte Presidenti haptazi më racist në kohët moderne – ndoshta që nga Woodrow Wilson. Ai u përpoq vazhdimisht të ndizte bazën e tij të bardhë me fanatizëm kundër njerëzve me ngjyrë. Veprimet e tij shpesh përputheshin me fjalët e tij të ndyra – shembulli më i mirë kur urdhëroi që fëmijët e emigrantëve pa dokumenta të ndaheshin nga prindërit e tyre.

Ai ishte Presidenti i parë që refuzoi të pranonte humbjen në zgjedhje ose që propagandoi teori të çuditshme konspirative për të minuar besimin në sistemin zgjedhor.

Ai u bë Presidenti i vetëm ndonjëherë i vendosur në proces shkarkimi dy herë – një herë për përpjekjen për të shantazhuar Ukrainën për ta ndihmuar atë politikisht, herën e dytë për nxitjen e një kryengritjeje të dhunshme, në tentativë për të qendruar në detyrë.

Ai largohet nga zyra me vetëm 34 për qind miratim në sondazhin e Gallup, ndërsa kishte qenë Presidenti i parë që nuk arriti kurrë mbështetjen prej 50 për qind që nga fillimi i sondazheve të Gallup.

Për shkak të dështimeve katastrofike dhe të kushtueshme të Trump, Biden do të marrë detyrën me thuajse askënd të pranishëm për të parë inaugurimin e tij në një qytet që tani ka më shumë trupa amerikane sesa ka në Irak dhe Afganistan së bashku. Biden do të drejtojë një komb ku 75 për qind e republikanëve nuk mendojnë se ai është zgjedhur në mënyrë të drejtë sepse ata kanë besuar gënjeshtrën e madhe të përhapur nga Trump dhe makineria e krahut të djathtë, të cilët do të vazhdojnë ta minojnë dhe abuzojnë atë në çdo hap.

Presidenti i ri do të përballet me sfida monumentale që tejkalojnë ato të çdo Presidenti të ardhshëm që nga Franklin D. Roosevelt në 1933. Jo vetëm që Biden duhet të ndalojë pandeminë dhe të ringjallë ekonominë, por ai duhet të adresojë ngrohjen globale, pabarazinë në të ardhura, padrejtësinë racore, të rikthejë besimin te qeveria, të ringjallë sundimin e ligjit, të kthejë etikën në qeveri, të ulë ndarjet në shoqërinë amerikane dhe të depolitizojë agjencitë qeveritare.

Është një listë e frikshme, gati e pamundur për të bërë. Por, në mënyrë paradoksale, duke marrë drejtimin në një pikë kaq të ulët të historisë sonë, Biden është i destinuar për sukses.

Përparësia e tij më e madhe është se vaksinat mjaft të efektshme kundër Covid-19 ekzistojnë tashmë – diçka që do të ishte e vështirë të imagjinohej kur pandemia filloi një vit më parë. Administrata Trump meriton një farë merite për kushtimin e burimeve për zhvillimin e këtyre vaksinave, por qartazi dështoi në përhapjen e tyre.

Nëse administrata e Biden-it do të tregojë një përgjegjshmëri minimale – dhe ekzistojnë të gjitha arsyet për të pritur një shkallë të lartë përgjegjshmërie nga ky ekip me përvojë – ajo do të jetë në gjendje të rrisë  shpërndarjen me shpejtësi. Në të vërtetë, situata po përmirësohet tashmë. Afërsisht 800,000 amerikanë po vaksinohen aktualisht në ditë, nga 350,000 në ditë në fillim të janarit. Biden ka vendosur qëllimin për 100 milion vaksina në 100 ditë. Kjo është jo vetëm e arritshme – duke pasur parasysh trajektoren aktuale – por ka të ngjarë ta tejkalojmë këtë.

Është e arsyeshme të pritet që, duke përjashtuar variantet mutante të virusit që sfidojnë vaksinimin, koronavirusi do të mposhtet këtë vit. Dhe, ndërsa pandemia zhduket, ekonomia do të ringjallet. Këto dy fitore të mëdha duhet t’i japin Biden një vit të parë shumë të suksesshëm në detyrë – dhe t’i blejnë atij kohë për të adresuar sfidat e gjata që nuk do të rregullohen lehtë.

Thjesht duke mos i përshkruar kritikët e tij si tradhtarë, duke mos nxitur dhunë, duke mos publikuar cicërima të çmendura, duke mos përhapur teori konspirative apo duke mos e quajtur median “armikun e popullit”, Biden do të fillojë të shërojë një vend të thyer dhe të traumatizuar. Ai nuk do të fitojë kurrë mbi shtresën e ashpër të Trump, por ai tashmë po fiton mbështetjen e shtresën së mesme të gjerë të vendit. Miratimi publik ndaj tij është më i lartë se ai i Trump ndonjëherë. Në një sondazh të ri të CNN, dy të tretat e amerikanëve miratojnë mënyrën se si Biden po trajton tranzicionin.

Faleminderit, Presidenti Trump. Duke qenë aq i tmerrshëm, e keni bërë plotësisht të garantuar që Biden do të jetë shumë më i suksesshëm për nga krahasimi./TheWashingtonPost/Lexo.al/e.c.