Gjithë globi është i zënë me vaksinimin kundër Covid-19, me shpresën për frenimin përfundimtar të tij por, me pothuajse 450 milionë banorë përparimi për këtë çështje në Bashkimin Europian ka qenë shumë i ngadaltë.
Si kundërpërgjigje, Komisioni Europian po propozon një të ashtuquajtur ”regjistër transparence”, ku prodhuesit do të duhet të tregojnë sasitë dhe vendet e destinacionit nëse duan të eksportojnë vaksinat Covid-19 në vendet joanëtare të BE-së.
Bashkimi Europian mund të ndalojë eksportin e vaksinave nëse konstatohet se një prodhues i detyrohet bllokut sasi dozash bazuar mbi kontratën e shitjes që ka nënshkruar paraprakisht.
”Ndërsa regjistri i propozuar i transparencës teknikisht ofron vetëm një listë të eksporteve të synuara, autoritetet kombëtare atëherë mund të vendosin të mos japin një certifikatë eksporti, duke ndaluar në mënyrë efektive daljet nga blloku”, tha dje një zyrtar i BE, i cili kërkoi të mos identifikohej.
Për shembull, nëse një kompani farmaceutike nënshkruan një kontratë duke premtuar të shpërndajë 100 milionë doza të vaksinës në BE deri në fund të tremujorit të parë, por siguron vetëm gjysmën e atyre – ndërsa dëshiron të eksportojë pjesën tjetër të dozave në një vend tjetër – atëherë vendi i BE-së mund të vendosë të mos lejojë eksportet.
Javën e kaluar, prodhuesi AstraZeneca njoftoi se mund të siguronte vetëm një pjesë të dozave të premtuara për tre muajt e parë të vitit 2021. Masa për të kërkuar në mënyrë efektive që të gjitha eksportet e vaksinave të aprovohen mund të shihet si një mënyrë për të rritur presionin mbi AstraZeneca, por gjithashtu për të dërguar një sinjal tek prodhuesit e tjerë.
Por, nuk ka gjasa që kjo të sjellë pushim të menjëhershëm, meqenëse AstraZeneca aktualisht përballet me vonesa të prodhimit në një nga impiantet e saj në BE. Komisioni ka sugjeruar importimin e dozave shtesë nga Britania e Madhe.
Mbetet gjithashtu e diskutueshme nëse, edhe nëse do të kishte më shumë doza, kjo do të shpejtonte vaksinimin në të gjitha vendet, pasi shumë prej tyre kanë ilaçe të mjaftueshme dhe po luftojnë me sfidat logjistike se si të vaksinojnë popullsinë e tyre.
Kufizimet e mundshme të eksportit do të ndikonin në kompanitë që prodhojnë në Bashkimin Europian. Kjo aktualisht vlen për të gjitha vaksinat e miratuara nga BE. Përveç AstraZeneca, kompania gjermane BioNTech prodhon së bashku me kompaninë amerikane Pfizer në një fabrikë belge.
Gjiganti amerikan Moderna gjithashtu u bashkua me kompanitë e BE për të prodhuar doza në bllok. Propozimi i Komisionit Europian mund të zemërojë gjithashtu vendet anembanë globit të cilët kanë lidhur kontrata me kompanitë.
Kritikët e lëvizjes mendojnë se ky veprim përbën një “nacionalizëm vaksinor” – diçka që Komisioni Europian e hedh poshtë plotësisht. Ligjvënësi i qendrës së majtë në BE, Bernd Lange paralajmëroi se ky veprim mund të çojë në “një efekt domino” dhe të shkaktojë kufizime të eksportit diku tjetër. ”Përqendrimi në rritjen e prodhimit do të ishte shumë më produktiv”, argumentoi ai.