Tiranë, 12 Janar – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu nga Spitali Rajonal i Fierit ku janë shpërndarë autoambulancat e reja të flotës antiCOVID, deklaroi se sfida e rradhës është vaksinimi, i cili do të jetë i kombinuar për grupet prioritare.
“Lufta ende nuk ka mbaruar. Ne jemi tashmë në sfidën tonë të rradhës, atë të vaksinimit antiCovid. Në prioritetet tona për vaksinimin në fillim të tij si grup prioritar dhe ai më i ekspozuari ndaj këtij virusi të rrezikshëm janë kategoria e mjekëve, infermierëve. Kemi filluar me ata të cilët punojnë në spitalet Covid. Gjithashtu do të vijojmë me vaksinimin e mjekëve, infermierëve duke filluar nga shërbimet e urgjencave e më pas duke u shtrirë në të gjithë sistemin tonë shëndeësor. Dhe duke vijuar me vaksinimin e kombinuar, edhe më të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve dhe të moshuarit +75 vjeç”, tha Manastirliu.
Gjatë vizitës saj në Fier, Manastirliu tha se edhe spitali i Fierit ashtu si të gjitha spitalet rajonale në vend kanë në strukturën e tyre pavione të dedikuara për rastet Covid në rast se do të kemi një hapje të tyre, kjo bazuar në strategjinë e hartuar nga ekspertët.
“Fakti është që edhe spitali i Fierit, në strukturën e vet ka dedikuar një pavion të posaçëm për rastet Covid, në momentin që do të kemi një hapje të spitaleve rajonale. Dhe pavarësisht punës që ka bërë që nga momenti i parë për triazhimin dhe trajtimin e rasteve post-covid, ne jemi gati për ato skenarë, të cilët tashmë jemi të përgatitur me të gjithë elementët përkatës të pavioneve të dedikuara edhe në spitalet rajonale, sipas strategjisë që ne kemi bërë”, tha Manastirliu.
36 autoambulanca të reja, investim i qeverisë shqiptare i janë shtuar flotës antiCOVID për përballimin e situatës dhe përgjigjen e shpejtë dhe me cilësi të urgjencave në territor.