Ilir Meta duhej hequr me kohë nga zyra e presidentit, pasi ai tashmë nuk është më presidenti i shqiptarëve, por presidenti i LSI-PD, që bën thirrje për përmbysje e revolucion, nga zyra e kryetarit të shtetit.

“Zgjedhjet duhet të ishin mbajtur me kohë. Përmbysje demokratike më 25 prill”, shkruan sot ai. Vetëm kjo fjali, që mediat e japin si një lajm normal, jo si një skandal presidencial, do të mjaftonte që presidenti të shkarkohej urgjentisht. Por, socialistët tashmë janë tërhequr nga nisma për shkarkimin e tij dhe po e “përdorin” Metën për fushatë, me idenë se sa më shumë ai të flasë kundër tyre, aq më shumë i prish punë opozitës para shqiptarëve.

Kjo, për faktin se, për shumë njerëz, Ilir Meta është sinonimi i korrupsionit dhe së keqes në këtë vend. Dhe fakti që ai del e flet pastaj për përmbysje, me qëllim që në pushtet të vijë gruaja e tij me Lulzim Bashën, natyrisht që është në favor të socialistëve. Por ky nuk mund të jetë justifikim, për të banalizuar institucionin e presidentit, duke lënë aty një njeri qesharak, që nga mëngjesi në darkë mendon si të rrëzojë qeverinë, a thua është kryetari i opozitës, dhe jo presidenti i shqiptarëve.

Se ata që ai thotë duhen përmbysur, e kanë votuar për president, ndaj më shumë se këdo, në atë zyrë ai përfaqëson socialistët, jo dmeokratët e lësëistët. Thirrjet e Ilir Metës për përmbysje natyrisht që do të vazhdojnë dhe me afrimin e datës së zgjedhjeve, ai do të bëhet edhe më agresiv. Madje më 26 prill, nëse PS fiton sërish zgjedhjet, siç dhe janë gjasat, Ilir Meta do të jetë “revolucionari” i parë që do nisë revolucionin e radhës. Se kështu thonë lartë e poshtë, që këtë radhë o fitojnë ata, o bëhet nami!

Marrë nga Tema