Kryeministri Edi Rama komentoi sot pretendimet e Presidentit Ilir Meta dhe ato të opozitës, në lidhje me menaxhimin e situatës me reshjet e shiut.

Në mbledhjen me ministrat e linjës, Rama thumboi duke u shprehur se dëshpërimit të opozitës nuk i është gjetur ende vaksina.

“Unë shpresoj që ta fillojmë injektimin e vaksinës antiCovid në vendin tonë nga mjekët dhe infermierët përpara afatit që kemi deklaruar. Ndërsa vaksinës së dëshpërimit të opozitës nuk i është gjetur formula.

Kështuqë për shkak të dëshpërimit kapen pas çdo mundësie iluzore dhe natyrisht ndaj çdo fatkeqësie natyrore për të bërë politikë.

Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë siç po bëjmë në këtë moment të vështirë për shkak të reshjeve në disa zona. Ne kemi një protokoll standard për emergjencat tona civile” – tha Kryeministi.