Pa maska, amerikanëve nuk do t’u lejohet udhëtimi me avionë, trena apo autobuzë. Presidenti i ri, Joe Biden e bëri shumë të qartë me një urdhër ekzekutiv se të gjithë pasagjerëve do tu kërkohet të mbulojnë fytyrën gjatë lëvizjeve ndërshtetërore. Kompanitë ajrore dhe punonjësit e tyre kishin kohë që këmbëngulnin për një mandat federal mbi maskat pas probleme të mëdha të hasura me udhëtarët që refuzonin hapur zbatimin e kësaj mase.
Biden veproi pa vonesë për të koordinuar përpjekjet e qeverisë federale për të luftuar pandeminë e koronavirusit. Të enjten, në ditën e parë të plotë në detyrë, presidenti i ri parashtroi planin e tij për të zgjeruar vaksinimet dhe për të forcuar protokollet për maskat. Në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë, ai tha se fushata e vaksinimeve në SHBA ka qenë “një dështim dëshpërues deri tani”. “Gjërat do të vazhdojnë të keqësohen para se të përmirësohen,” u shpreh demokrati duke folur për goditjen e virusin.Ai bëri gjithashtu një thirrje personale amerikanëve që për 99 ditët e ardhshme të vënë maskë për të penguar përhapjen e virusit, i cili deri tani ka lënë mbi 405,000 të vdekur, numri më i lartë se në çdo vend tjetër në botë.“Kjo është një sipërmarrje si në kohë lufte,” tha Biden.