Nga Adriatik Doci /

Rreth 50 projektligje pritet të shqyrtohen dhe miratohen në sesionin e ri dhe të fundit të kësaj legjislature parlamentare, që do të nisë në 18 janar 2021. Mes 50 nismave ligjore që do të shqyrtohen para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, disa prej tyre pritet të prodhojnë polemika dhe debate, për shkak të përmbajtjes së tyre. I tillë është edhe drafti i ministrisë së Drejtësisë për Kodin e ri Penal, ku shtohen rreth 30 vepra të reja penale dhe hiqen 6 vepra në fuqi. Kodi i ri parashikon një dënim me një vit burg për ata që bëjnë montazhe apo meme, pa lejen e personave që janë objekt i memes. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk ka asnjë shans që të ndalohen memet, duke i dhënë një mesazh ministrisë, për ta ndryshuar këtë nen.

Ndërkaq, në Kuvend pritet të shkojë edhe ligji organik për Presidencën, i cili përcakton kornizat e veprimtarisë së Ilir Metës si dhe i vendos afate për dekretimin e zgjedhjeve, emërimin e ministrave, betimin e gjyqtarëve, nënshtetësinë, dekoratat etj. Me këtë draft shumica synon t’i japë fund përplasjeve mes qeverisë dhe Presidencës. Meta e ka konsideruar nisëm si akt puçist. Që në korrik të këtij viti pret në Kuvend ligji i shumëdebatuar për amnistinë fiskale, i tërhequr përkohësisht nga shumica, por që kryeministri Rama ka pohuar se po merret ekspertizë ndërkombëtare dhe se shumë shpejt amnistia do jetë realitet.

Gjatë këtij sesioni pritet të miratohet edhe ligji i ri për Gardën e Republikës, i cili forcon masat e sigurisë për personalitetet e larta shtetërore dhe zgjat afatin për ruajtjen e tyre pas largimit nga detyra. Ligji për azilin dhe të huajt janë dy nisma të tjera që pritet të miratohen para zgjedhjeve parlamentare. Ditët e fundit në Kuvend ka shkruar edhe një projektligj për ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit, duke zgjeruar numrin e vendeve kur zyrtarët publikë mund të kenë kryer vepra penale.

Në sesionin e ri dhe të fundit pritet të miratohet edhe një projektligj, për privilegjet e 43 krerëve të drejtësisë së re, të cilët do të marrin pensione të posaçme dhe 21 paga pas largimit nga detyre. Dy ligje shumë të rëndësishme që presin për t’u miratuar në Kuvend janë ligji për referendumet i propozuar nga deputetja Rudina Hajdari dhe disa ndryshime në statusin e deputetit, të cilat parashikojnë uljen e shpenzimeve për deputetët.

Çështjet e nxehta të sesionit të ri parlamentar; Drafti për Presidencën

,Kodi i ri Penal, Ndryshimi i Kodit të Familjes, Ndryshimi i Kodit Detar, Ndryshimi i Kodit Rrugor, Ligji i për Gardën e Republikës, Projektligj për ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit, Projektligj për privilegjet e krerëve të drejtësisë së re pas largimit nga detyra, Ndryshimi i ligjit për sektorin minerar, Ligji për disiplinën në ushtri, Ligji për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse,Ligji për referendumet, Ligji për amnistinë fiskale, Ndryshime në ligjin për statusin e deputetit, Ligji për azilin në Shqipëri, Ligji për të huajt, Ligji për Agjencisë e Mbikëqyrjes Policore! (Shqiptarja.com)