Franca ka vendosur kufizime të reja në kufi për shkak të koronavirusit pasi edhe një herë tjetër ka zgjedhur të shmangë izolimin kombëtar. Të gjithë udhëtimet, me përjashtim të atyre të domosdoshëm, nga jashtë BE janë ndaluar ndërsa janë forcuar rregullat për testin e koronavirusit për udhëtarët nga brenda BE.
Kryeministri Jean Catex tha se ndalim qarkullimi gjatë natës në Francë do të jetë më strikt dhe qendrat e mëdha tregtare do të mbyllen.
Por masat janë parë si të buta dhe që favorizojnë ekonominë ndërkohë që disa ekspertë druajnë se vendi nuk do të mund të ndalë infektimet. Kufizimet e reja do të prekin edhe Britaninë e madhe që tani nuk është pjesë e BE por transporti i mallrave nga Britania, sipas zyrtarëve, nuk do të cënohet.
Nga e diela çdo hyrje në Francë dhe çdo dalje nga territori ynë drejt ose nga një vend jashtë bashkimit evropian, është i ndaluar.
Një numër vendesh përjashtohen nga masa pasi nuk konsiderohen të rrezikshme, ndër to, Australia, Koreja e Jugut, Japonia, Zelanda e re etj. Ndërsa shtetas të ardhur nga brenda BE dhe disa rajone të tjera fqinje, si Andorra, islanda, Lihtenshtejni, Monako, Norvegjia, San Marino, Vatikani dhe Zvicra, duhet të paraqesin një test negativ PCR në hyrje.
Franca raportoi 820 viktima të premten duke e çuar shifrën totale në më shumë se 75 mijë. Tani vendi ka numrin e gjashtë më të lartë të viktimave të koronavirusit në botë. Por para Francës, masa të ngjashme kanë marrë edhe vende të tjera.
Gjermania, nga e shtuna, ndalon pjesën më të madhe të udhëtarëve nga vendet e goditura më rëndë nga variantet e reja. Republika Ceke nga e shtuna ka ndaluar hyrjet jo të domosdoshme në vend. Portugalia të enjten ndaloi udhëtimet jo të domosdoshme nga ajri, toka dhe deti për qytetarët e saj. Belgjika të mërkurën ndaloi udhëtimet jo të domosdoshme jashtë vendit deri më 1 mars.
Ndërsa në kontrast, Italia tha të premten se do të zhvendoste më shumë zona nën rregulla më të buta nga e hëna, pavarësisht se ekspertët paralajmërojnë se kjo është e rrezikshme. Asnjë zonë nuk do të klasifikohet si e kuqe, ku kufizimet për udhëtimin dhe biznesin janë të ashpra.