Në publikimin e raportit vjetor, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka evidentuar numrin e lartë të shërbimeve ndaj qytetarëve, shërbimeve risi dhe të ardhurave të realizuara nga shërbimet e ofruara gjatë vitit 2020.
“Ndonëse në kushtet e një viti të vështirë të pandemisë COVID-19, me mbylljen e sporteleve, masave e kufizimeve, viti 2020 shënon rekord për DPSHTRR në volume shërbimesh, rendiment e të ardhura”, shprehet Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR, Z. Blendi Gonxhja.
Gjatë dhjetorit 2020, numri i shërbimeve të ofruara në sportelet e DPSHTRR është rritur me +38% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018-ës ku gjatë fundvitit që lamë pas, sportelet kanë shërbyer edhe gjatë ditëve të fundjavës dhe orareve shtesë deri në qytetarin e fundit. Ndërsa të ardhurat vjetore në vitin 2020 janë rritur me +24% krahasuar me vitin 2018, një rritje e ndjeshme duke konsideruar gjithashtu që shërbimi në sportel u pezullua përkohësisht për rreth 4 javë.
Një aspekt tjetër me rëndësi që trajtohet në raport është numri i lartë i shërbimeve risi, rreth 80 mijë të tilla si: ndryshimi i pronësisë së mjetit si OneStopShop në sportelet e DPSHTRR, targat me përzgjedhje dhe souvenir, si dhe certifikimet dhe miratimet për errësimin e xhamave të cilat kanë arkëtuar rreth 200 milionë lekë të reja.
Sipas Z. Gonxhja, rezultate të tilla janë arritur falë mirëadministrimit, përmirësimit të ndjeshëm të shërbimit dhe komunikimit me qytetarët, sistemeve inovative të shërbimeve online dhe informatizimit, shërbimeve risi e lehtësimeve të procedurave e burokracive dhe ku falë të ardhurave rekord të realizuara, DPSHTRR ka ndihmuar financiarisht me rreth 4 milionë euro sektorin e transportit rrugor, mijëra individë e subjekte, si një nga sektorët më të goditur nga pandemia.
“Falenderojmë qytetarët për mirëkuptimin e treguar gjatë vitit që lamë pas e për të gjitha sugjerimet e vlefshme të cilat i marrim në konsideratë për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve të DPSHTRR. Motivohemi si ekip për të punuar e për të arritur rezultate më të larta në sfidat e reja të automotorizimit shqiptar në vitin 2021”, shprehet në mbyllje të deklaratës Drejtori i DPSHTRR.