Nga Mero Baze
Shqipëria nis të hënën vaksinimin e popullsisë, duke pasur në dispozicion një kontigjent prej 500 mijë vaksina të kompanisë Pfizzer, ndërkohë që janë në proces negociatat për sasitë e tjera.
Procesi i cili u paralajmërua për javën e tretë të Janarit, duket se ka ecur më shpejt dhe është një dozë optimizmi në kulmin e një beteje të stërgjatur me COVID 19, që ka futur në provë sistemin tonë shëndetësor dhe mbijetesën ekonomike për shkak të tij.
Vaksinimi fillon në një kohë që Shqipëria ka shifra pabesueshmërisht të mira, në raport me vendet e tjera rrotull saj, me një nivel të ulët vdekjesh dhe një ritëm ende të përballueshëm infektimesh, edhe pse testimet janë shumëfishuar.
Fillimi i procesit të vaksinimit do të nisë nga mjekët e Spitalit Infektiv, ndërsa kryeministri Edi Rama do ta marrë atë para kamerave, në përpjekje për të rritur besimin e dëmtuar tek një pjesë e popullsisë nën ndikimin e teorive konspirative që tanimë kanë pushtuar botën.
Fillimi i procesit të vaksinimit, është kthyer prej kohësh në një betejë politike të opozitës kundër qeverisë.
Ashtu siç ndodhi më tërmetin një vit më parë, dhe me pandeminë beteja u përqëndrua në dy pika. E para ishte përpjekja për të shpikur vdekje, dhe për të llogaritur për të vdekur nga COVID këdo që vdiste në Shqipëri.
Është engimë përse opozitës i duhen më shumë të vdekur se të gjallë për të fituar zgjedhjet, por për këtë sëmundje, nuk është shpikur ende ndonjë vaksinë.
E dyta ishte përqëndrimi i sulmit tek mosgjetja e vaksinës, për të cilën opozita besonte se mund të vinte pas prillit në Shqipëri.
Fakti që vaksina u sigurua, nga kompania aktualisht me vaksinën më cilësore dhe më të shtrenjtë, dhe mbi të gjitha fakti që ajo mbërriti në Shqipëri shumë më shpejt seç pritej, është një leksion i hidhur për opozitën që tenton të bëjë fatkqesitë, “kalë beteje” në luftën politike.
Tani, deri më 25 prill, Edi Ramës mund t’i ndalohet të dalë në ekrane për të inaguruar shtëpi tërmeti, por njerëzve që vaksinohen përditë nuk u ndalohet ta thonë atë, dhe ky është një përgënjeshtrim i hidhur për gjithë luftën fallco të opozitës kundër këtij procesi.
Deri më 25 Prill tani do të kemi shansin të dëgjojmë Tan Shehun e Tit Vasilin të ankohen se vaksinat po i marrin vetëm elektrati socialist, dhe jo ai demokrat, ose akoma më keq, të dëgjojmë që një demokrat që bëri vaksinën, i kishin futur çip dhe është bërë socialist.
Po të paktën këto nuk e tmerrojnë popullin, po i ngrejnë humorin. Dhe është vërtet kohë e keqe ku humori është i nevojshëm për të ngritur moralin. Por jo për të ngritur opozitën.
Dhe një kërkesë për qeverinë. Kur të fillojë vaksinimi i të moshuarve, fillojeni me Sali Berishën. Eshtë i vetmi që i duhet gjallë qeverisë deri më 25 prill.