Para disa ditësh u zbulua se reality show më i ndjekur i momentit, “Për’puthen”, do të vinte me një format të ri. Burime treguan se këtë herë programi nuk do i dedikohej më njohjes mes të rinjve, por personave mbi 40 vjeç. Ky lajm u konfirmua edhe nga autorja Olsa Muhameti dhe bëri bujë të madhe kudo. Sapo u bë e ditur kurioziteti për këtë format të ri ishte i madh, kush mund të aplikonte, kush do e drejtojë programin etj etj. Gjithë këtyre pyetjeve, autorja e programit ju ka dhënë përgjigje ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live”.

Olsa tregoi se ka pasur një “boom” aplikimesh për formatin e ri dhe se audicionet do të kryhen të hënën e javës së ardhshme. Ajo tregoi se ka pasur raste kur kanë aplikuar edhe nipërit për gjyshërit e tyre, sepse duan t’i bëjnë pjesë të programit. “Deri tani grupmosha më e madhe e aplikantëve është 40-50 vjeç, por kanë aplikuar edhe nipërit që duan të sjellin gjyshërit. Nuk është vetëm për të gjetur partnerë por është edhe eksperiencë televizive shumë e bukur”, tha Olsa. Ajo zbuloi se moderatorja e “Për’puthen 40” me konkurrentë mbi 40 vjeç do të jetë sërish Bora Zemani. Kjo e fundit pati një përvojë mjaft të suksesshme me drejtimin e “Për’puthen 2” , që ka nisur të transmetohet edhe të dielave si “Për’puthen Prime”.