Një sërë investimesh dhe projektesh të reja, që janë ndërmarrë në Bashkinë Tepelenë me mbështetjen financiare të qeverisë dhe donatorëve, kanë sjellë në shërbim të qytetarëve vepra publike në infrastrukturë dhe agroturizëm, me impakt edhe në rritjen e punësimit.
Kështu u shpreh kryetari i Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi në një prononcim për ATSH-në, ku theksoi se rikonstruksioni i rrugës Salari-Nivicë, rreth 17 km e gjatë, është projekti më i ri i bashkisë Tepelenë që ka nisur zbatimin me mbështetjen financiare të qeverisë. Në Tepelenë ka nisur puna për rikonstruksionin e rrugës Salari- Nivicë, e cila së shpejti do të jetë realitet për banorët e kësaj zone, por edhe për të gjithë turistët e vizitorët e zonës së jugut.

Kjo rrugë lidh zonën e Lopësit si dhe Salarinë me Nivicën, duke dalë në det me investimet e tjera që po kryhen në rrugën Gusmar-Kuç dhe Lotin e III të rrugës së Lumit të Vlorës. Bashkia Tepelenë, duke u shndërruar në një aks të rëndësishëm për qarkullimin e mjeteve.
Peçi tha se, segmenti rrugor do t’i nënshtrohet ndërhyrjes që në dalje të fshatit Salari dhe do të vazhdojë deri ku përfundon, në fshatin Nivicë. Punimet e projektit përfshijnë asfaltim të rrugës me binder të mbyllur, infrastrukturë për largimin e ujërave të shiut dhe ndërtimin e vepra të reja të artit. Aktualisht punimet po vazhdojnë me zgjerimin e trupit të rrugës si dhe punime gërmimi dhe nënshtresash– tha ai.

Duke u ndalur në projektet që kanë marrë shtrirje në bashkinë Tepelenë, Peçi përmendi investimet në shtrirjen e rrjetit të shpërndarjes së ujësjellësit, ndërhyrjet në rrugët e brendshme të kalasë, sistemimin e hyrjes së kalasë së Ali Pashë Tepelenës, ndërhyrje në rrugët: Salari Duka, Tafil Buzi, Dragot, Pasarelë” loti i dytë, si dhe rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Nivicë” dhe shkollën 9-vjeçare “Dukaj.