02 Janar- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, përmes një video të publikuar në Facebook, ka bërë bilancin e viti që lamë pas. Duke e konsideruar atë një vit të vështirë për sektorin e Shëndetësisë për shkak të Pandemisë globale, Manastirliu thekson se në asnjë moment nuk janë ndalur përpjekjet dhe puna për të modernizuar spitalet, maternitetet, qendrat shëndetësore.
Ministrja e Shëndetësisë ka shprehur vendosmërinë për të çuar deri në fund punet e nisura.
“Edhe pse në një situatë gatishmërie ku përqendrimi i forcave u vendos në përgjigjie të pandemisë, për asnjë moment nuk ndalëm përpjekjet për të modernizuar spitalet, maternitetet, për të transformuar qendrat shëndetësore në kantierin e madh të shëndetësisë në çdo cep të Shqipërisë.
Nga spitali i ri i sëmundjeve të brendshme, në zemër të QSUT, një projekt madhor që finalizohet këtë vit. Investimet tona po ecin me ritme shumë të larta. Jemi të vendosur të çojmë deri në fund punët e mira që kemi nisur”, thotë Manastirliu.
Në vitin që shkoi një sërë investimesh të rëndësishme u finalizuan në sektorin e Shëndetësisë: Spitali i ri i Kirurgjisë QSUT, Spitali i ri i Urgjencës dhe Patologjisë në Elbasan, Pediatria e re e Spitalit të Durrësit, Reanimacioni I ri në Spitalin e Vlorës, Depo e re e Barnave QSUT, Agjencia e re e Barnave dhe 120 qendra të reja shëndetësore, pjesë e programit kombëtar të rindërtimit të 300 qendrave shëndetësore.
Ndër investimet më të rëndësishme gjatë këtij viti janë spitali i ri i sëmundjeve të brendshme dhe pediatria e re në QSUT si dhe maternitetet e reja në Berat, Lezhë dhe Kukës.
Gjithashtu ka vijuar pa u ndalur edhe programi i 300 qendrave shëndetësore nga veriu në jug:
Qendra e re Shendetesore ‘Skënderbej’ Elbasan, Qendra shëndetësore e Pajovës në Peqin, Qendra e re shendetesore Bardhoc, Kukes,Qendra e re shendetesore Golem, Qendra e re Shendetesore në Krujë.
Vijon pa u ndalur puna edhe për projektet e nisura, Spitalin e ri te semundjeve te Brendshme QSUT, Spitalin e ri të Kukësit, Maternitetin e Lezhës, Beratit, Pediatrinë e Tiranës.