Ditën e djeshme, në emisionin “Just Dance” tërhoqi vëmendje të madhe një konkurrente 40-vjeçare e quajtur Bela, e cila i befasoi të gjithë me energjinë e saj. Siç e do formati, ajo konkurroi kundrejt konkurrentëve më të rinj me një performancë e cila nuk u prit mirë nga pjesëtari i jurisë, koreografi dhe balerini Albi Nako.
Ai shpërtheu në komente të rënda e ofenduese kundrejt 40-vjeçares, duke shokuar publikun me fjalët e tij: “Për mua është personazh tipik i atyre filmave si “Planeti i Majmunëve”. Mendoj që në vend që të garosh me këta të rinj je në një moshë ku më mirë martohu e bëj fëmijë sesa të vazhdosh kështu.”- tha Albi.
Kjo deklaratë ngriti debat të madh në media dhe të shumtë janë personazhet publikë që reaguan kundër këtyre komenteve seksiste e diskriminuese. Madje, një pjesë e publikut kërkoi largimin e menjëhershëm të Nakos nga spektakli.
I ftuar sot në “Top Albania Radio”, koreografi ka folur për herë të parë pas zhurmës së madhe, duke u justifikuar se gjithçka ishte e inskenuar, dhe të gjithën këtë e kishte bërë vetëm për të bërë Belën “të famshme”.
Ai u shpreh se e gjithë situata ishte e inskenuar për t’i dhënë një mundësi Belës të bëhej e famshme, si dhe të bënte pak spektakël brenda formatit. Nako u shpreh se Belën e njeh prej 20 vitesh dhe ajo punon për të madje ishte ai i cili krijoi koreografinë e saj në “Just Dance” dhe dialogu mes tyre ishte i shkruar fiks si një skript filmash.
Pavarësisht se paska qenë “e planifikuar”, Nako tha që nuk e mendoi që kjo situatë do të komentohej kaq shumë në media dhe rrjetet sociale dhe theksoi se një person nuk bëhet i famshëm duke e lavdëruar por duke krijuar situata si kjo për të tërhequr vëmendjen. E besoni ju këtë?