Të gjithë fermerët e interesuar për të përfituar nga skema e re e qeverisë për naftën falas për prodhimet bujqësore mund të aplikojnë duke nisur nga dita e sotme me zero kosto përmes portalit e-Albania. Aplikimet do te jene te hapura deri ne datën 25 shkurt. Skema subvencionuese mbulon të gjithë ata fermerë që janë të regjistruar me NIPT dhe që kanë një sasi toke të punueshme më të madhe se 0.4 hektarë.

Në total, janë 70 mijë fermerë që plotësojnë kushtet për të përfituar nga skema, për të cilën shteti shqiptar ka vendosur në dispozicion në vitin e parë të zbatimit të saj një vlerë totale prej 10 milionë dollarësh. Përfituesit do të pajisjen me një kartë me çip dhe do të marrin sasinë e tyre falas në pikat e autorizuara të karburantit. Skema mbështetëse e naftës për bujqësinë mbulon kryerjen e punimeve të mekanizuara për një numër kulturash bujqësore, si bimët e arrave, perimet e fushës dhe serës apo drutë frutorë.

Përmes kësaj skeme synohet rritjas e konkurrueshmërisë së produktit shqiptar, ulja e kostos së prodhimit dhe rritja e eksporteve, që pavarësisht pandemisë dhe recesionit ekonomik në 2020 vijoi të njohë rritje gjatë vitit të shkuar. Në harkun kohor të 5 viteve, eksportet bujqësore shqiptare janë rritur nga rreth 150 milionë USD në vit, në pothuajse 350 milionë USD, duke bërë që bujqësia të shndërrohet në një prej sektorëve me produktivitetin më të lartë në ekonominë shqiptare.

Të dhëna nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëjnë me dije se aplikimi i parë i mbërritur përmes portalit e-Albania ka ardhur në orët e para të mëngjesit nga fshati Gruemirë, Qarku Shkodër. Aplikimi, i cili është i hapur për 40 ditët e ardhshme bëhet me zero kosto në portalin e-Albania, ku subjekti i interesuar duhet të logohet si biznes dhe jo individ. Dokumentat e nevojshme janë statusi aktiv i NIPT-it, dokumenti i pronësisë së tokës dhe një formular vetdeklarimi për kulturat bujqësore të mbjella.

Në bazë të këtij aplikimi përllogaritet sasia e karburantit falas që do të përfitohet nga fermeri, mbi bazën e një koeficienti të caktuar për secilën prej kulturave bujqësore. Përgjigja për aplikimin merret brenda 30 ditësh. Për çdo informacion të mëtejshëm, të interesuarit mund të kontaktojnë numrin jeshil të vendosur në dispozicion 08008383, Agjensitë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, Agropikat Përkatëse apo të konsultohen në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë apo AZHBR.