Reshjet e borës në qarkun e Korçës kanë vijuar edhe përgjatë natës së mbrëmshme, ndërsa trashësia e saj ka arritur në 10-30 cm. Sipas të dhënave nga autoritetet edhe pse është punuar gjatë natës sërish lëvizja në disa akse bëhet me zinxhirë. Në drejtim të Dardhës dhe Voskopojës duhet përdorimi i tyre.

Në Qafë Qarr po ashtu është i nevojshëm përdorimi i zinxhirëve. Qafë Thana gjithashtu ka vështirësi lëvizje pasi dëbora shkon në 20-30 në këtë zonë. Sa i përket njësive administrative lëvizja vetëm me zinxhirë. Në Pogradec njësia Proptisht vijon të jetë pa energji, ajo furnizohet me fiderin e Librazhdit, por ende nuk është gjetur defekti.

Në njësinë Dardhas vijon të jenë disa fshatra të izoluar ndërsa në njësitë e tjera lëvizja bëhet me zinxhirë. Në zonën e Maliqit ka probleme me energjinë në fshatrat e Moglicës, 50% e fshatit është pa energji elektrike prej dy ditësh. Janë këputur telat si pasojë e linjës së amortizuar. Ndërkohë janë të izoluar disa fshatra, kurse fshati Mesmali është izoluar prej 2 ditësh.