Prishtinë- Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka marrë pjesë në takimin virtual të organizuar nga Kosovo 2.0, me ç ‘rast ka folur për bazën ligjore që rregullon mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të ak uz uar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, që është hartuar nga Ministria e Drejtësisë. “Në zbatim të Ligjit nr. 05/L-054 për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, Ministria e Drejtësisë ka miratuar aktet nënligjore”, tha Selimi. Me këtë rast, Selimi përmendi Udhëzimin Administrativ për Mbështetjen e nevojshme financiare për anëtaret e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara; Udhëzimin Administrativ për Mbrojtjen juridike të personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, i cili më pastaj është ndryshuar dhe plotësuar, si dhe Udhëzimin Administrativ për Kompensimin e personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, të shpallur të pafajshëm.
Ministri në detyrë, Selimi tregoi po ashtu se me dispozita është përcaktuar edhe mbështetja e nevojshme financiare për anëtaret e ngushtë të familjes së personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. “ Në këtë drejtim, Njësia përkatëse në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe Komisioni do t’i shqyrtojnë kërkesat për mbështetjen e nevojshme financiare si ato të personave të akuzuar po ashtu edhe kërkesat e anëtarëve të ngushtë të familjes së personave të akuzuar për mbulimin e shpenzimeve të ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës, dhe do të ofroj mbështetjen e nevojshme financiare në këtë drejtim në pajtim me legjislacionin në fuqi”, theksoi Selimi.
Selimi teksa tha se vlerat e shtetit të Kosovës kanë dal nga lufta e UÇK-së, ai potencoi se Kosova duhet të bëjë më shumë në aspektin e memories kolektive. “Vlerat tona si shtet kanë dal nga Lu fta e UÇK-së . Pjesa e drejtësisë nuk i takon ekzekutivit dhe nuk duhet t’i takoj asnjëherë, por kjo i’u takon organeve të drejtësisë. Ne çalojmë në disa pjesë, mund të them se në reparacion qëndrojmë mirë, memoria kolektive duhet përmirësuar. Nuk kemi shumë hapësirë për eufori, sepse prapë kemi të bëjmë me shtetin të cilin kemi pasur luftë dhe i cili na ka sjellë shumë pengesa”, tha Selimi.
Ndërkohë, Selimi tha se veprimet e Dhomave të Specializuara kanë dal nga veprimi juridik dhe sipas tij, kanë prodhuar fatkeqësisht efekte politike. “Së pari, ne duhet të besojmë në drejtësi, sepse ajo është në anën tonë. Por një gjë duhet ditur, lëshimi i deklaratave nga ana e Prokurorisë ka qenë dhe mbetet veprim puro politik. Ajo deklaratë nuk është praktikë e drejtësisë sepse elementet që i ka pasur ajo deklaratë kanë qenë politike. Mandej edhe përdorimi i forcës ka qenë joproporcional. Policia e Eulex-it ka përdorur forcë joproporcionale dhe nuk janë pritur aspak mirë nga shoqëria sepse ne jo shumë vonë kemi kaluar nga një situatë e tillë, që për neve ngreh paralele nga e kaluara e afërt. Ai përdorim i forcës ka qenë eksesiv. Andaj kjo mua personalisht më bënë të mendoj që Dhomat e Specializuara kanë veprime politike dhe kanë anime”, tha Selimi.
Në këtë takim morën pjesë edhe Natasha Kandiq, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe Donika Emini udhëheqëse e Platformës CiviKos.