Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako ka dhënë mëngjesin e sotëm një intervistë për ‘News24’ aty ku ka raportuar situatën në vend pas përmbytjeve. Çako deklaroi se ka një rënie të ndjeshme të nivelit të ujerave, për shkak ndërprerjes së reshjeve të shiut.
Ai u shpreh se qytetet si Lezha, Shkodra, Durrësi, Fieri dhe Vlora kanë pasur më shumë pasoja nga reshjet e shumta. Ndër të tjera ai bën të ditur se qyteti i Lezhës është më i rrezikuar pasi ndikon nga shkarkime të fuqishme të Drinit dhe të Gjadrit.
“Ka një ndikim të dukshëm të rënies së nivelit të ujërave në përgjithësi. Është monitoruar dhe po monitorohet intensivisht nga strukturat e mbrojtjes civile në bashkitë Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier, dhe Vlorë, ku ka pasur ndikim të dukshëm të dorëzënës së ujit. Ka rënie të nivelit të ujerave në toka bujqësore dhe në ambientet e tjera. Jemi në të njëjtën pritshmëri dhe sot për shkak të ndërprerjes së reshjeve. Jemi në gatishmëri. Lezha, është e rrezikuar pasi ndikon nga shkarkime të fuqishme të Drinit dhe të Gjadrit. Tani ka një rënie prej 40-50 cm. Pritet që të bien niveli. Nuk ka problematika në banesa apo biznese. Gjithsesi shtabet apo njerëzit e emergjencave operacionale janë në krye të detyrës. Janë shumë banesa që kanë prezencë uji. Një pjesë e tyre kanë investuar në mënyrë individuale duke rrethuat oborrin. Nuk ka më informacione për rrëshqitje dherash në rrugë apo vende të tjera. Janë marrë masat të gjitha. Deri në këto momente që flasim nuk ka rrugë apo itinerare të bllokuara. Ministri i Mbrojtjes ka mbërritur në Lezhë, do të inspektojë të gjitha zonat në qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës.”, tha ai.