Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka publikuar dëshminë e një të moshuari nga spitali Rajonal i Fierit kur prej kohësh po ofrohet ndërhyrja e kataraktes falas për të gjithë të moshuarit që kanë probleme me sytë.

Në dëshminë e tij, i moshuari nga Fieri, Lirim Muhaj shprehet se ka zgjidhur të kryej ndërhyrjen në këtë spital falë shërbimit që ofrohet. Gjeta kushtet më të mira, gjeta një mjeke që zor se e gjen në vend tjetër dhe tani nuk jam më pacient i këtij spitali, por jam agjentë i këtij institucioni për t’ju thënë njerëzve shkoni vizitohuni në Spitalin e Fierit, shprehet ai.

Manastirliu bën të ditur se janë 2100 të moshuar që kanë përfituar falas shërbimin e ndërhyrjes në sy dhe lentet gjatë vitit 2020 në spitalet publike.

Gjysh Lirimit i është kthyer drita e syve dhe ka veçse fjalë mirënjohje për mjekët e spitalit rajonal të Fierit, ku tashmë ofrohet paketa e kataraktës dhe lentet falas me financim 100% nga shteti. 2100 gjyshe dhe gjyshër kanë përfituar shërbimin e ndërhyrjes në sy dhe lentet gjatë vitit 2020 në spitalet publike, falas dhe afër vendbanimit, thekson ministrja.