Ministri i Mjedisit dhe i Turizmit mori pjesë në mbjelljen e mbi 200 fidanëve nga maturantët e Shkollës së Mesme e Bashkuar Cerm-Shkumbin. Mbjelljet u bënë në një sipërfaqe në zonën e plazhit pranë Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. “Këtu jemi në një park të ri i cili po krijohet në vite nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura Divjakë dhe po krijojnë një sipërfaqe të re të pyllëzuar.

Padyshim në sy të lirë duken si pemë të reja që kanë vetëm dy tre vjet që po realizohen, por në harkun kohor të 5-6 viteve kjo zonë do të jetë si zona e parë e pishave duke krijuar një mbrojtje shumë të mirë për të gjithë zonën e mëtejshme”, tha Ministri Klosi në këtë aktivitet. Nxënësit e shkollave vazhdimisht pranë Parqeve Kombëtare vazhdimisht kontribuojnë në pyllëzimin e sipërfaqeve të dëmtuara nga erozioni, prerjet e paligjshme apo zjarret. “Vet ndryshimet klimatike sidomos periudha në të cilën jetojmë në kuadër të pandemisë na dëshmon se sa shumë punë duhet të bëjmë për mjedisin.

Do të doja shumë të përgëzoja angazhimin maksimal që kanë të rinjtë e shkollave të mesme të bashkisë së Divjakës, të cilët gjithmonë i gjen në krahë të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe jo vetëm në procesin e mbjelljeve, por në të gjitha proceset që kanë të bëjnë me mbrojtjen e kësaj pasurie të madhe kombëtare”, tha Ministri Klosi. Mbjellja e pemëve nga ana e tyre tashmë është kthyer në traditë dhe më tepër se sa numri i fidanëve këto aktivitete kanë rëndëi për ndërgjegjësimin dhe edukimin e të rinjve me dashurinë për natyrën.