Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka iu bën apel shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të regjistrohen në platformën e-Albania për të saktësuar adresat e tyre. Në një postim në “Facebook” Xhaçka shkruan se procesi i saktësimit të adresave është lehtësuar dhe thjeshtuar dhe kjo gjë shkurton kohën për përfitimin e një sërë shërbimesh që lidhen me adresën.
“Shërbimi cilësor dhe në kohë ndaj qytetarëve, veçanërisht ndaj atyre që jetojnë e punojnë jashtë vendit, është prioriteti kryesor i punës time si Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme.
E kënaqur që tanimë, procesi i saktësimit të adresave është lehtësuar e thjeshtuar. Gjithçka që duhet të bëni, është të logoheni në platformën online ‘e-Albania’, ku më pas do të informoheni për të gjitha hapat tjera që duhen ndjekur. Lehtësimi i procedurave të tilla ju shkurton kohën për përfitimin e një sërë shërbimesh që lidhen me adresën. Tashmë saktësimi bëhet më i lehtë se kurrë me platformën https://e-albania.al. Shikoni hapat që duhet të ndiqni #UnëURegjistrova?”, shkruan ministrja Xhaçka.