Policia e Shtetit u ka bërë thirrje të gjithë shoferëve që të tregojnë kujdes gjatë udhëtimeve, për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe të dëborës. Në një postim në mediat sociale, Policia shton se për çdo ndihmë qytetarë mos të hezitojnë dhe të lajmërojnë autoritetet.
“Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të treguar kujdes maksimal gjatë drejtimit të automjeteve dhe motomjeteve dhe në rast nevoje apo për të denoncuar çdo rast të paligjshmërisë telefononi në numrin 112 ose dërgoni imazhe në Komisariatin Dixhital”, theksohet në njoftim.
Më tej shtohet se efektivët, për shkak të situatës së krijuar si pasojë e motit të keq në të gjithë vendin, shërbimet e Policisë vijojnë të jenë në gatishmëri.
“Të gjitha shërbimet e Policisë Rrugore, Patrullat e Përgjithshme, forcat “Shqiponja”, FNSH-ja dhe inspektorët e Policisë në zona ndodhen në gatishmëri dhe prezent në të gjithë territorin për të menazhuar dhe monitoruar lëvizjen e automjeteve në rrugët urbane e interurbane dhe akset kryesore rurale që lidhin qendrat administrative me qendrat e bashkive, si dhe për t’iu ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës dhe qytetarëve në nevojë, duke koordinuar dhe bashkëpunuar me emergjencat civile, prefekturat, pushtetin vendor dhe kryepleqtë e fshatrave”, vijon njoftimi.