Muzeumet në qytetin e Gjirokastrës edhe gjatë stinës së dimrit, po mirëpresin vizitorë vendas dhe të huaj.
Tashmë Muzeu i Armëve, Etnografik apo “Shtëpia Kadare” janë qendra të rëndësishme për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit.
Përgjatë vitit 2020 muzeumet u vizituan nga rreth 8 mijë turistë, kryesisht vendas, por edhe nga shtete të ndryshme.
Bashkia Gjirokastër ka në fokusin e saj, rivitalizimin e katër muzeve në shërbim të zhvillimit të turizmit.
“Sistemi i muzeve në Gjirokastër”, projekt i cili po zbatohet së fundmi në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit synon rikonceptimin e katër muzeve, për të qenë koherent me standardet bashkëkohore të zhvillimit turistik.
Ky sistem i ri novativ do të jetë në shërbimin e turistëve duke krijuar lehtësira prej marrjes së informacionit paraprak nga website, deri në përjetimin e eksperiencës së plotë të qytetit të Gjirokastrës, të kulturës dhe historisë të mbrojtur në muze dhe shtigje e rrugë me kalldrëm.
E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.
Kalaja e gurtë, parku i Antigonesë, muzetë e qytetit vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.