Kryeministri Edi Rama inspektoi gjithashtu gjatë ditës së sotme punimet në kantierin e rrugës Transballkanike në Vlorë që lidh Shtëpisë së Pavarësisë dhe portin e këtij qyteti.

Kryebashkiaku Dritan Leli u shpreh se të gjithë banorëve që u preket banesa nga ndërtimi i këtij projekti do të marrin qira nga bashkia e Vlorës me vlerë 100 deri në 130 mijë lekë të vjetra.

“Problematika e qytetarëve në lidhje me strehimin është zgjidhur me një vendim të Bashkisë së Vlorës ku të gjithë familjet që kanë pasur probleme me dokumentacionet e pronësisë janë garantuar që do tu paguhet qiraja nga bashkia e Vlorës me një vlerë nga 100 deri në 130 mijë lekë të vjetra që është trendi mesatar i çdo qiraje në Lungomare. Pavarësisht se duket sikur është një investim i shkurtër, është një rrugë rreth 24 metra e gjerë e cila do bëjë në fund realitet atë ëndrrën e shumë brezave, rrugën Transballkanike që të çon deri në port. Diskutohej pa fund që kjo rrugë që do lidhte portin e Vlorës me gjithë pjesët e Shqipërisë, është bërë realitet falë investimit të parë që nga autostrada deri në hyrje të Vlorës ku u mbarua pak kohë më parë. Tani kemi arritur në këtë investim” – tha Leli.

Gjithashtu Leli u shpreh se në këtë zonë do të ndërtohen fusha sportive, ‘Aquapark’ dhe zona parkingu me qëllim rehabilitimin e kësaj zone.

“Këtu është rehabilituar nga studio belge. Është një projekt nga më të bukurit, me fusha sporti, parkime pa fund që rehabiliton pjesën që lidhet me portin, nga një port detar në një port jahtesh. Do të jetë një ballinë shumë pozitive. Do të krijohet një akuapark fantastik, në fillim, pastaj do të ketë fusha sporti. Do zhvillohet e gjitha në një pjesë” – tha Leli.