Monika Kryemadhi deklaroi të premten mbrëma se përmes firmosjes së marrëveshjeve mes Erdogan dhe Ramës, ku i fundit po siguron azilin e tij pas 25 Prillit.
Duke folur për emisionin “Java në RTSH”, kryetarja e LSI tha se edhe data 7 prill kur Erdogan pritet të përfundojë ndërtimin e spitalit të Fierit, ka një konotacion të keq.
Në panelin me analistët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, Kryemadhi shtoi se deputetët e LSI do t’i hetojnë marrëveshjet në fjalë.
“Unë prisja që Rama të vendoste 6 apo 8 prillin. Sepse 7 prilli është dita e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Nuk do doja që Rama të luante me një pushtim tjetër në Shqipëri. Por nuk më shqetëson spitali i Fierit sesa politika në vend. Nuk do doja që vizita e zotit Rama të ishte një vizitë që cënon integritetin dhe Kushtetutën e Shqipërisë. Vizita në Turqi ka qenë një vizitë për të përgatitur azilin e tij. Por çdo marrëveshje e firmosur në mënyrë të fshehtë, LSI do ta ndjeki personalisht dhe penalisht. Nuk kam informacion nëse kjo ka ndodhur, por njoh zellin e Edi Ramës për të ndryshuar harta dhe kufinj. Koka e Edi Ramës nuk është asgjë para integritetit dhe sovrenitetit të miliona shqiptarëve. Kushdo që është i përfshirë në marrëveshje anti-shqiptare duhet të ketë shumë kujdes” – tha Kryemadhi në emisionin “Java në RTSH”.