Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, konfirmoi se nuk do të organizojë ndonjë raund të ri të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, pa përfunduar procesi zgjedhor në Kosovë. “Nuk është momenti për të organizuar një takim të ri. Ne kemi nevojë për një qeveri të re me një mandat të fortë që do të vazhdojë procesin e dialogut”, tha Lajçak. Ai mori pjesë në një diskutim virtual me ambasadoren gjermane në Uashington, Emily Haber, për të folur mbi bashkëpunimin e SHBA-së dhe Evropës me Ballkanin Perëndimor.
Duke komentuar ndryshimet në administratën amerikane që do të ndodhin pas inaugurimit të demokratit, Joe Biden, si president i Shteteve të Bashkuara, më 20 janar, Lajçak tha se ishte i inkurajuar nga emërimet e reja në administratën e ardhshme, të cilat, siç tha ai, “nuk kanë nevojë për mësime rreth rajonit” sepse ata janë njerëz që kanë njohuri me proceset në Ballkanin Perëndimor. “Jam optimist sepse administrata e re po emëron njerëz që e njohin Ballkanin Perëndimor, që ndjejnë përgjegjësi për rajonin. Ata që tashmë janë emëruar, nuk kanë nevojë për ligjërata. Është administratë e re, por që po emëron njerëz të dëshmuar si partner të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, tha Lajçak. Përfaqësuesi i BE-së për dialogun, pranoi se nuk kishte pasur asnjë koordinim midis Brukselit dhe Uashingtonit në vitin e kaluar.