Segmenti që lidh rrugën e Elbasanit me rrugën Pjetër Budi, ku kalojnë çdo ditë mijëra studentë, do të mbajë emrin e akademikut të njohur Alfred Uçi. Në një ceremoni të veçantë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dorëzoi në mënyrë simbolike, vajzës së tij, Albana Avrami, një kopje të tabelës së rrugës me emrin e studiuesit të njohur, i cili u nda nga jeta në vitin 2016.
Veliaj theksoi se është një nder shumë i madh që një nga rrugët e Tiranës, do të mbajë emrin Alfred Uçi, një model frymëzimi edhe për brezat e rinj. Tek fëmijët nuk kultivojmë vetëm kulturën e të ngrënit shëndetshëm, e të lexuarit, e të qenit qytetar i denjë, por ekosistemin e tyre duhet ta pasurojmë edhe me emra personalitetesh, për të cilët ata do të pyesin se kush ka qenë dhe çfarë ka bërë. Kështu, qyteti merr përmasa njerëzore, tha ai. Veliaj shtoi se Alfred Uçi ishte një qytetar i mirë dhe i denjë i këtij qyteti.
Për ne është nder i veçantë, por edhe qytetit i bën nder të kujtojë personalitete si Alfred Uçi, i cili frymëzon studiues të tjerë që do të kontribuojnë për gjuhën shqipe e do investojnë në shkencë. Pavarësisht nga punët që bëjmë, ka një kryepunë për secilin prej nesh, të jetë qytetar i mirë. Alfred Uçi ishte një qytetar i mirë dhe i denjë i këtij qyteti!, u shpreh kryebashkiaku.
Vajza e akademikut të njohur, Albana Avrami falenderoi kryebashkiakun për këtë vlerësim. Ju jemi shumë mirënjohës, jo vetëm ne, fëmijët e tij, por edhe nipërit, mbesat. Edhe nëna ju është jashtëzakonisht mirënjohëse për këtë dhuratë, është shumë e çmuar për ne dhe për babin, u shpreh ajo. Alfred Uçi është konsideruar si një nga emblemat më të çmuara të kulturës shqiptare. I edukuar që fëmijë me idealet atdhetare të gjyshit të tij, Petro Nini Luarasi, dhe korifenjve të tjerë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Alfred Uçi u përfshi në Lëvizjen antifashiste që në moshën 14-vjeçare. Pas studimeve dhe punës së tij disavjeçare, në vitin 1970, iu dha titulli Profesor e më pas Akademik.