Presidetja në detyrë, Vjosa Osmani deklaroi në Konferencën Vjetore të Prokurorëve se suksesi i Prokurorisë është sukses i gjithë shtetit, prandaj të gjithë, qoftë përfaqësuesit e institucioneve por edhe të gjithë qytetarët e vendit duhet të ofrojnë kontributin maksimal për të siguruar institucione të pavarura, kredibile e profesionale të cilat luftojnë krimin e korrupsionin, ruajnë integritetin institucional e mbi të gjitha e bëjnë Republikën një vend të dëshirueshëm për të rritur fëmijët tanë.
“Gjykatësit dhe prokurorët gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, përveç faktit që duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të njëjtit edhe në publik të kenë perceptimin dhe besimin e qytetarëve dhe publikut se të njëjtit janë të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë në ushtrimin e funksioneve të tyre zyrtare. Prandaj, integriteti i prokurorëve është bazament i punës së tyre, bashkë me profesionalizmin dhe etikën e punës. Prandaj, dua t’ju përcjellë mesazhe inkurajimi për punë të mëtutjeshme, duke u treguar të pakompromisë ndaj shkelësve të ligjit”, deklaroi Osmani.
Ajo tha se integriteti, profesionalizmi e vetëmohimi i prokurorëve tanë është garanca që e kërkojmë të gjithë në Republikën e Kosovës.
“Si presidente në detyrë, dhe përgjatë gjithë karrierës sime, kam kërkuar vetëm shtet të së drejtës, rend dhe ligj. Tani, i gjithë kapaciteti im institucional e profesional, është në dispozicion të kësaj kauze. Do të jem aleati juaj kryesor, për aq sa kam kompetenca kushtetuese, për t’u ndihmuar në këtë drejtim”, përfundoi Osmani.