Dëbora e rënë gjatë ditëve të fundit ka sjellë probleme të shumta në veri të vendit. Së fundmi raportohet se aksi rrugor që lidh Lepushën me Shkodrën, është bllokuar që nga ora 06:00 e mëngjesit të sotëm. Po ashtu raportohet se 4 orteqe dëbore janë derdhur mbi rrugë duke e bërë të pakalueshme. Ndërkohë nga autoritetet nuk ka pasur asnjë ndërhyrje me borëpastruese apo me fadromë. Qytetarët kanë bërë apel vazhdimisht për ndërhyrje por deri në këto momente qarkullimi në këtë aks rrugor vijon të jetë i bllokuar.
Sjellim në vëmendje që edhe Thethi është izoluar nga dëbora. Prej disa ditësh, zona turistike është bllokuar për shkak të reshjeve të dëborës ndërsa era e fortë ka dëmtuar rrjetin elektrik. Ndërkohë dje doktori Ardjan Kellici dhe infermieri Zek Tataj, të qendrës shëndetësore në Tamarë të Kelmendit, në Malësinë e Madhe, kanë rrezikuar jetën gjatë se enjtes.
Ata po udhëtonin drejt Vermoshit, kur në vendin e quajtur “Gropa e Selcës” janë goditur nga një ortek. Për pasojë, fuoristrada me të cilën ata udhëtonin ka përfunduar disa metër poshtë rrugës dhe mjeku, infermieri e drejtuesi i automjetit Pëllumb Mitaj, kanë marre disa plagë por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Moti i keq ka përfshirë të gjithë zonën e Kelmendit, me reshje dëborë dhe ere të fortë dhe për pasoje zonat e Vermoshit dhe Lepushës kanë probleme me lëvizjen e automjeteve dhe furnizimin me energji elektrike.