Që prej dy ditësh, në Shqipëri ka nisur vaksinimi ndaj koronavirusit, ku Edi Rama ishte një nga personat e parë që mori dozën nga Pfizer. Tritan Shehu, ish-ministër i Shëndetësisë, thotë se Qeveria duhet të bëjë menjëherë transparencë se nga kanë ardhur vaksinat. Për Shehun, Prokuroria shqiptare duhet të reagojë mbi këtë çështje.
“Soreca tha mbrëmë se BE, por as Covax, nuk mund ta mbështesin Shqipërinë nëse nuk ka një plan vaksinimi. Problemet qëndrojnë këtu te ne dhe kanë muaj që kanë filluar. Shqipëria është vendi i fundit në Europë për procesin e vaksinimit. Nuk ka infrastrukturën e nevojshme dhe nuk ka një plan vaksinimi dhe kjo është arsyeja se pse BE dhe firmat prodhuese nuk të furnizojnë me vaksinat e nevojshme. Çështja e vaksinimit të Shqipërisë nuk zgjidhet me disa qindra vaksina. Kjo që u bë është vetëm një “fishekzjarr”, mbi të cilën kërkohet transparencë.
Duhet të paraqiten certifikatat e origjinës së vaksinës. Është edhe një detyrim ligjor ndërkombëtar. Me këto gjëra nuk luhet. Nuk kam dëgjuar ndonjë kryeministër të një vendi të BE-së që, unë nuk them nga kanë ardhur vaksinat. Ky është një veprim edhe ligjërisht në shkelje. Prokuroria shqiptare duhet të futet në këtë valle, pasi cenohet siguria medikamentoze, siguria e qytetarëve.
Duhet sqaruar tërësisht, nga vjen, mënyra e transportit dhe shumë elemente të tjera që lidhen me kompaninë prodhuese”, tha Shehu në A2, duke shtuar se vaksina mund të jetë fatale për qytetarët shqiptarë, pasi nuk dihet nga vjen dhe sa e sigurtë është.