Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se do vazhdojë mbështetja e shtabeve të bashkive që kanë probleme me përmbytjet për shkak të reshjeve të dendura me të gjitha mjetet.
Ministri Peleshi ishte sot te Konvaleshenca në Durrës ku janë strehuar disa nga familjet e evakuuara.
Në një prononcim për mediet, Peleshi tha se disa trupa nga Forcat e Armatosura ndodhen në mbështetje të Emergjencave në Sukth, Katundin e Ri në Shijak. “Fatmirësisht janë bërë në kohë evakuuimet. Në fakt disa familje nuk kanë pranuar të evakuohen, por duhet patjetër sa herë marrin paralajmërime nga shtabet e bashkisë nga Shtabet e Emergjencave”, vijoi Peleshi.
Ministri i Mbrojtjes theksoi se “jemi të gatshëm t’u gjendemi kujtdo qoftë për evakuime, apo për të shpëtuar prodhimet e ndryshme bujqësore apo gjënë e gjallë. Kemi disa qindra hektarë nën ujë, por lajmi i mirë është se reshjet kanë pushuar dhe nuk parashikohet të ketë reshje me intensitet të lartë në ditën në vazhdim”.
“Së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, me drejtorin e Emergjencave Civile jemi në gatishmëri dhe në mbështetje nga veriu në jug. Në Tropojë kemi një situatë emergjente me një rezervuar, kemi dërguar katër pompa që në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe pushtetin lokal do të punojmë për të shmangur ndonjë situatë emergjence të mundshme. Kemi në Shkodër në Obot, njësinë administrative Ana e Malit. Aty situata është më e rënduar pasi u bënë mbi 10 ditë që ka prezencë ujë. Kemi çuar mjete të tjera të kalueshmërisë së lartë për të kryer lëvizjen, transportin e njerëzve. Edhe në Lezhë kemi toka të përmbytura por siç e thashë situata do të jetë më e mirë, pasi do të ketë tërheqje të përmbytjes dhe për pak ditë do shkojmë drejt normalizimit”, tha ai.
Po ashtu, Peleshi theksoi se ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha shtabet e bashkive, të prefekturave me Forcat tona të Armatosura, me mjete dhe pako ushqimore nga rezervat e shtetit kudo që do ketë nevojë.
“Po e shfrytëzoj këtë moment për t’iu kërkuar edhe kryetarëve të bashkive që janë në emergjencë edhe Prefektëve të mos ngurrojnë të na kontaktojnë në kohë, sepse i kemi gati, nuk na ka zënë të papërgatitur, por të përgatitur, edhe në këtë vale përmbytjesh”, tha Peleshi.