Nga ARTUR AJAZI/Këmbëngulja e Fatmir Mediut, kryetarit të Partisë Republikane për të mos pranuar “pazare nga Partia Demokratike për zgjedhjet”, është vetëm fillimi i përçarjes së grupimit të çoroditur opozitar. Edhe pse Mediu kishte njëfarë besimi se “Lulzimi nuk do ta zhgënjente, dhe do ti jepte vendin që i takon”, duket se ai në heshtje ka marrë nga PD përgjigjen e papritur. Fronti opozitar sot më shumë se kurrë është në pikë të hallit. Ai “front”, nuk ka qenë, dhe nuk ka arritur akoma të jetë një “ front antiRama” në realitet, aq më tepër kur kryetarët e partiçkave, kanë 10 muaj që grinden dhe paralajmërojnë largimin, në rast se “nuk futen emrat tanë në krye të listave”.
I gjithë sikleti është “emri në listë”, kapja e mandatit të deputetit, dhe jo programet, alternativat, fushata me mbështetësit e lëkundur apo pjesën e zhgënjyer. Opozita përfundimisht ka rënë në “kurthin” e Ramës, dhe nuk ka gjasa të dalë prej andej. Dhe kjo padyshim është arritje dhe fitore. Fronti i tyre, nuk ka shanse të mbledhë më në sheshe as ithtarët e saj, kur në një rast tjetër opozita duhej të ishte “një hap para qeverisë”. Kjo për faktin sepse ajo (opozita) është e pabesueshme, tinzare, hipokrite, shpifarake, dhe e paaftë për të ndezur shpresat e mbështetësve të saj.
Kjo opozitë që flaku dhe denigroi themeluesit, vlerat e saj për kundërshti programi dhe drejtimi, kjo opozitë që nxit urrejtjen dhe shpik akuza banale ndaj çdo kundërshtari politik me synim pushtetin,sot gjendet në fazën vendimtare të përçarjes. Partia Demokratike edhe pse deklaron se “kemi koalicionin më historik dhe do të fitojmë”, do të pësojë humbjen katastrofike në 25 Prill. Emrat e listës (ata që e kanë marrë miratimin nga Luli) janë duke hedhur baltë mbi çdo arritje dhe sukses të vendit, duke mos kursyer së fundi as shpifjet bajate me gjoja “bazë burimet hetimore nga Italia”. Lulzim Basha po i shfrytëzon mrekullisht ëndërrimtarët e mandatit, duke i ditur atyre shumë “bëma dhe sekrete” që lidhen me veprimtari antiligjore.
Kjo siç duket ka ndezur edhe brënda asaj partie luftën klanore, dhe garën se “kush i shërben më mirë kryetarit”. Askush prej atyre që sot hiqen si “opozita” dhe i gënjen mëndja se “në 25 Prill do ta rrëzojnë Ramën” pra Saliu, Iliri, Luli e Monika, nuk e kuptojnë se “janë thjesht kalimtarët e fundit të këtij tranzicioni të gjatë dhe se karrierat e tyre politike po mbaron”. Por në fakt përçarja e “frontit opozitar” nuk ka nisur me listat emërore të zgjedhjeve, pasi zanafillën e ka më herët, duke kujtuar mosmarrëveshjet që lidhen me 30 Qershorin, braktisjen e bashkive, djegien e mandateve, takimet me Ramën, dosjet qesharake të Babales, dhunën ndaj institucioneve, apo dhe reformën zgjedhore.
Mjafton të përmendim se, Partia Demokratike nuk ka mbështetur kurrë një nga kërkesat themelore të LSI dhe partive të tjera të vogla për reformën zgjedhore. Por gjithsesi fakteve të stisura dhe makinacioneve që po mundohen të fshehin aktualitetin brënda “frontit”, një gjë është e sigurtë, përçarja ka nisur, opozita e vjetër jashtë çdo institucioni, ka të gjitha gjasat të mbetet e tillë edhe pas 25 Prillit, pasi do ti humbë zgjedhjet. Një opozitë e re do të lindë mbi gërrmadhën e saj, mjafton të ketë fizionomi europiane për të nisur gjithçka nga e para, dhe për ti vërtetuar shqiptarëve se bindjet e tyre djathtiste, nuk kanë asgjë të përbashkët me aleancat e milionerëve të “frontit” parazitist.