Zëvendëskryeministri Erion Braçe u bëri sot thirrje fermerëve që të regjistrohen dhe të pajisen me NIPT për të marrë naftën pa akcizë. Braçe publikoi foto nga serat dhe fushat e mbjella me sallatë dhe theksoi se këto janë produkti i parë masiv i këtij viti që do të shkojë për eksport. “Punë të mbarë në Divjakë. Lakra sallate, “sallata koke” siç i thonë bujqit apo “ajsberg” siç i thonë mondanet e supermarketeve të shtrenjta në Tiranë, po bëhet gati në sera e në fushë! Është produkti i parë masiv i këtij viti që do shkoj për eksport”, tha ai.
Ndërkohë, vijoi Braçe, “një lutje për çdo bujk në Divjakë e Lushnjë, edhe më tej: regjistrohuni, pajisuni me NIPT dhe merrni naftën pa akcizë, taksë qarkullimi, taksë karboni”. Braçe tha se “përfitojnë edhe ata që kanë sera për pjesën e punimit të tokës”. “Bëjeni tani dhe ulni kostot e punës e produktit tuaj. Ata që ju thanë se do ju vinim kasë tek toka nuk janë më. Mbi të gjitha, deri në 140 milionë lekë xhiro në vit, tatimi mbi fitimin është bërë zero. Regjistrohuni e merrni naftën”, tha Braçe.