Pezullimi i punës së kolaudimit, shërbim i cili duke nisur nga data 1 janar do i kalojë shtetit, nuk do të sjell asnjë pengesë për qarkullimin e automjeteve që u ka kaluar afati i kontrollit teknik, pasi një vendim i qeverisë që mban datën 23 dhjetor shtyn me tre muaj afatin e skadimit të kolaudimit. Blendi Gonxhja, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR ) sqaron se qytetarëve që u ka skaduar kolaudimi, nuk duhet të shqetësohen, pasi përmes një vendimit të Këshillit të Ministrave është sqaruar se afati i skadimit shtyhet me tre muaj dhe përdoruesve të automjeteve do u duhet vetëm të paguajnë taksën vjetore dhe kolaudimin do të mund ta bëjnë me pas. “Së pari, me këtë e VKM, datë 24-dhjetor 2020, nr 36, çdo certifikatë aktuale fiton edhe 3 muaj vlefshmëri, pra tërë ata që do kishin afat të ribënin kolaudimin kanë këtë shtesë afati”,- tha ai për ATSH.

“Kjo bëhet për dy arsye, e para, u kthejmë përdoruesve të mjeteve këtë kohë meqenëse gjatë 2020-es pati bllokime qarkullimi, dhe dy i jepet kohë shërbimit të ri të kolaudimit të përgatitet për rifillimin, duke i dhënë kohë edhe daljes së ndryshimeve në kodin rrugor që është miratuar si draft në qeveri dhe pret kalimin në parlament këto javë të para janarit”,- tha Gonxhja. “Ndërkohë për ato mjete që targohen rishtaz në 2021-shin, nga nesër tërë drejtoritë rajonale të DPSHTRR do të kenë udhëzimet e duhura për t’i pajisur me vërtetime që njihen edhe nga policia për ta kryer kolaudimin sapo të rihapet shërbimi. DPSHTRR dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, po punojnë për tërë masat e ndërhyrjet e duhura për rihapjen e shërbimit të kolaudimit sa më parë të jetë e mundur”,- tha Gonxhja.

Sipas tij, gjendja e disa shumë qendrave të marra në dorëzim nga koncesionari është shumë e rëndë dhe pritet të ndiqen dhe hapat ligjore të parashikuar anë marrëveshjen me koncesionarin. “Gjendja e shumë qendrave të kontrollit, që u morën në dorëzim është shumë e rëndë, dhe në pamundësi që të kryenim ndërhyrje përpara datës 31.12.2020 është e domosdoshme koha për të normalizuar gjendjen si edhe për hapat ligjore me koncesionarin për çdo observacion e detyrim kontraktual, por DPSHTRR s’ mund të vijonte dot shërbimin në atë gjendje, ndaj po merren tërë hapat për mbrojtjen e interesit publik, sigurinë, tranzicionin ligjor dhe ofrimin e një shërbimi më të mirë! Me anën informatike kemi punuar paraprakisht por me anën fizike kjo qe e pamundur, ndaj duhet kohë”,- tha Gonxhja.

Ai sqaron po ashtu se “shtesa e afatit me 3 muaj është për të gjithë ata që kanë një certifikate kolaudimi të bërë në vitin 2020, në çdo kohë të vitit, pra të tera mjetet që kanë bërë kolaudimin fitojnë këtë shtesë vlefshmërie, si një lehtësim në vijim për radhët që mund të krijoheshin, këtu flitet për çdo kategori, autovetura, taksi, autoshkolla, autobuzë, mjete të ndryshme domethënë”. “Të tëra fitojnë +3 muaj. Kurdo qoftë data e tyre sipas certifikatës. Konkretisht, një mjet që do paraqitej në shkurt, tani afatin e ka deri në maj. Kjo është një masë e ndërmjetme në pritje edhe të kalimit në parlament të ndryshimeve në Kodin Rrugor”,- tha Gonxhja, i cili nënvizoi se taksa vjetore e qarkullimit rrugor për të gjitha mjetet, duhet të paguhet brenda datës së parashikuar, pasi në të kundërt do paguhet kamatvonesë, ndërsa për kolaudimin, koha e ribërjes së saj shtyhet me tre muaj.

Gonxhja sqaroi se afati tre muaj është për të lehtësuar presionin dhe për të ndihmuar përdoruesit e mjeteve, ndërsa për rinisjen e punës po punohet për të rifilluar sa më shpejt të jetë e mundur. Ne,- tha Gonxhja,- shërbimin do bëjmë çdo gjë që është e mundur ta rinisim shumë më shpejt, edhe me merak social për punonjësit që do të riciklohen, por edhe sepse shërbimi duhet jo vetëm për mjetet që ri-kolaudohen – duhet për mjete që targohen rishtaz etj, pra 3 mujori nuk do të thotë se ne do të rrimë mbyllur aq muaj.

“Ai afat shtesë është për të lehtësuar presionin dhe për të ndihmuar vetë përdoruesit e mjeteve që gjate 2020-ës nuk qarkulluan thuajse aq muaj, për shkaqe pandemie e kufizimi”,- thekson Gonxhe. Ai tha se koncesionarit ju desh një vit kohë të kryente tranzicionin, ndërsa DPSHTR po përpiqet ta realizojë këtë brenda 1 muaji. “Me miratimin e kodit të ri rrugor nga parlamenti, brenda janarit, do të kemi qartësi më të madhe që rinisja e shërbimit të kolaudimit të bëhet me normat e reja – periudhat e reja etj. Është e pashmangshme të kemi një fazë të tillë. Ju kujtojmë se, në vitin e parë, koncesionarit ju desh 1 vit kohë të kryente tranzicionin, ne duam ta kryejmë për rreth 1 muaj sot”,- tha Gonxhja. ATSH/