Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Plani Kombëtar i Vaksinimit, ka 3 skenarë.
Duke folur në seancën e parë tëë sesionit të ri parlamentar ku u ratifikua marrëveshja me Pfizer, Rama tha se, “skenari më ambicioz është vaksinimi i të gjithë kategorive dhe i të gjitha moshave që përfshihen në planin e vaksinimit brenda 14 muajsh. Skenari tjetër, ose ai i mesmi ka një axhendë 18-mujore dhe skenari i tretë ka një axhendë 24-mujore”, tha Rama.

“Ne sigurisht”, nënvizoi Rama, “do të bëjmë gjithçka për të shkuar sipas skenarit të parë, skenarit më ambicioz dhe faktikisht me votimin sot të Kuvendit, hapet rruga për të marrë, sipas marrëveshjes së dakordësuar në parim, që unë e kam bërë dhe publike, kur kam thënë se doza e parë e vaksinave do të vijë brenda muajit janar dhe mundësisht brenda javës së tretë të muajit janar dhe pastaj shkallë-shkallë do të marrim të gjithë sasinë e dakordësuar. Dhe siç thashë shkallë-shkallë mund të porosisim një sasi tjetër, apo sasi të tjera edhe drejtpërdrejt nga Pfizer, gjë që e kemi garantuar me marrëveshjen që është firmosur përfundimisht dhe zyrtarisht nga të dyja palët dhe që Kuvendi do ta ratifikojë”.

Rama nënvizoi se, “siç mbase ju ka rënë në sy edhe nga fakti që Pfizer-i bëri një deklarim publik që ka krijuar shumë pakënaqësi gjerësisht për shtyrjen me javë të të gjitha angazhimeve të veta në raport me vendet ku është angazhuar si rezultat i nevojës për të rritur prodhimin dhe për të krijuar kushtet që prodhimi të rritet duke bërë një frenim të përkohshëm për arsye të logjistikës, infrastrukturës e kështu me radhë. Që do të thotë që ky është një proces që ka të papriturat e veta”.

Rama tha se, “ajo që është e rëndësishme është që ne nga ana jonë jemi plotësisht të përgatitur dhe siç e kemi thënë, qendra e vaksinimit në Tiranë, e cila është hapur dhe po funksionon për pjesën e parë fare që janë mjekët, infermierët, epidemilogët drejtpërdrejtë në kontakt me rrezikun potencial nga infektimi të shtrihet në Shkodër, në Vlorë, pastaj me radhë në të gjitha pikat e përcaktuara në plan, në mënyrë që aksesi jo vetëm i njerëzve të shëndetësisë, por edhe i moshave më të thyera që do të hyjnë në proces së shpejti të jetë sa më i lehtë”. Rama shtoi se, “sigurisht që në proces pastaj do të bëhet dhe degëzimi kapilar i të gjithë linjave të infrastrukturës së vaksinimit, për ta çuar vaksinimin në çdo qark, në çdo bashki, në mënyrë që të realizojmë skenarin më ambicioz atë të vaksimit për 14 muaj”.