Mbas më pak se 8 vitesh në opozitë, PD ofroi një program politik në kuadër të zgjedhjeve të pritshme, atyre të 25 prillit, që në fakt ishte i ngushtuar vetëm te ekonomia. Në parim kështu duhet të jetë, pasi finalja është një ekonomi më e mirë, që do të thotë një jetë më e mirë. Por kur nga parimi kalon në detaje, është pak më ndryshe. Problemet e Shqipërisë sot nuk janë vetëm të sferës ekonomike. Jo vetëm që janë plagë më shumë se probleme, por ato shtrihen shumë më gjerë, në shumë sfera të jetës, sa duhet një gjenialitet në njohje, më pas në zbërthim, më pas në artikulim dhe më pas në finalizim vizioni. Asgjë prej kësaj nuk u pa në ligjërimin premtues të Bashës. Gjithçka, kornizuar në 16 pika, ishte: lek, lek dhe vetëm lek.
Nga mënyra se si u servirën, të jepej ideja se në bodrumet e kryeministrië ka një kapicë thasësh me para dhe, mjaft të shkohet aty për t’i patur nën posedim dhe më pas gjithçka zgjidhet. Progami i PD-së, ishte, në finale, një shprehje e krizës së mendimit të lidershipit të kësaj force. Të synosh të qeverisësh Shqipërinë e pas 30 viteve post-komunizëm, në kontekste krejt të tjera shoqërore, sociale, ekonomike, lokale, rajonale e globale, do të duhej një gjenialitet që, siç është e qartë, as PD e as Basha nuk e kanë. Me lojë imagjinative, bazuar në atë çfarë kërkon sot realiteti shqiptar, sfidat që ka, prezantimi i programit të PD, si dhe fjala e Bashës, duhej të ishin diçka monumentale, diçka gjeniale, diçka e mirëstruktuar, e jo thjesht për të kapërcyer një pengesë jo të lehtë politike siç është Rama. Edhe pas më pak se 8 vitesh pushtet, të cilat kanë dhe një konsumizëm objektiv, kreu aktual i qeverisjes ende ka fuqinë dhe aftësinë e ndërtimit të kauzave, përcjelljes së tyre në një formë të rifreskuar, duke qenë në finale më dinamik e fantazist në ide dhe elementë bindës.
Ndërsa PD, duke e ulur nivelin e debatit gjatë viteve të opozitës, për shumëçka mbi problemet shqiptare, ku gjithçka e përqendron te akuza, edhe këto në formë mitesh, mban një nivel të ulët debati dhe kur shpalos programe; mjaftohet të premtojë para lart e poshtë, pa marrë mundimit të paraqesë, më e pakta, një pasqyrë analizuese se çfarë ka ndodhur me ekonominë shqiptare në tre dekada, si kanë qenë trendet e saj, ku është vepruar mirë e ku është gabuar; cili është modeli që ajo propozon në rrethana krejt të tjera nga ato të viteve më parë, e se cilat do jenë burimet kryesore ekonomike, ato të të ardhurave. Asgjë prej këtyre. Fjala vjen: me çfarë do zëvëndësojë dy burimet bazë të të ardhurave të deridjeshme: remitancat e emigrantëve gjithnjë e më shumë në rënie për shkak dhe të ndryshimit të konteksteve brendafamiljare, si dhe Lazaratin e miliona eurove nga kanabisi? Nuk ka ashtu as referenca analizuese dhe krahasuese. Siç nuk ka asnjë referencë mbi një model zhvillimi diku në Europë apo botë, që ajo e ka studiuar imtësisht, e ka konsideruar të afërt me rastin e Shqipërisë, e që si të tillë do mund ta aplikojë në Shqipëri. Kjo do ishte ndoshta aspekti më avantazhues ndaj qeverisjes aktuale. Por as këtë nuk e ka. Ka thjesht ca premtime që janë thjesht fjalë goje, e që përcjellin idenë se e kanë qeverisjen për herë të parë.
Edhe në u realizofshin 16 pikat, ku janë reformat, ku do ndodhin ato, në ç’sektorë. Dhe më pas vjen pyetja e natyrshme: pse në program mungon fjala “reformë”? Çdo forcë që tenton pushtetin, qeverisjen, e ka “reformën” kryefjalë të saj. Sepse shndërrimet e mëdha bëhen me reforma të mëdha. Eshtë tjetër debat më pas nëse ato janë të duhurat apo të gabuarat. Edhe kur ndodh t’i referohet së kaluarës së saj në qeverisje, në rastet kur do të evidentojë arritje, as aty PD nuk e ka fjalën “reformë”. Por “reforma” është mishërimi i një vizioni, prestigji i një programi, pasaporta më e besueshme e një projekt qeverisjeje. Ndërsa PD nuk ka askund si pjesë në ligjërimet e saj premtuese. Pse ndodh kjo? Sepse vetë PD nuk e di çdo të thotë të vetërefomohesh! (tesheshi)