Dy vjet nga implementimi i programit IPARD të financuar me 94 milionë euro nga qeveria shqiptare dhe BE, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, ka paguar 60% të kontratave të firmosura me fermerë dhe agropërpunues, për përfitimin e granteve nga investimet në bujqësi. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural bëri të ditur për ATSH-në, se deri tani janë firmosur 242 kontrata, për investime të reja në sektorin e bujqësisë dhe agroindustrisë, ndërsa është hapur thirrja e tretë e programit IPARD II që do të shtoj ndjeshëm numrin e fermerëve të tjerë përfitues.

AZHBR bën të ditur se, gjatë vitit 2021 parashikohet të disbursohen 30 milionë euro të tjera nga programi IPARD II. Pavarësisht situatës së vështirë që ka krijuar situata e COVID-19, bujqësia është një nga sektorët që ia ka dalë të shënojë ecuri pozitive, kjo falë edhe mbështetjes financiare nga programi IPARD që ka sjell në standarde bashkëkohore fermat dhe investimet në agropërpunim.

Sipas AZHBR-së, deri tani në në dy thirrjet e para të programit IPARD II, kanë aplikuar për të përfituar grante për investimet në sektorin e bujqësisë dhe agroindustrisë, 669 fermerë dhe subjekte dhe janë lidhur 242 kontrata me një vlerë injektimi financimi prej 69 milionë euro. Ndërsa një valë e re investimesh pritet të nisë këtë vit, ku hapet thirrjes së tretë e financime nga programi IPARD II (15 dhjetor 2020 – 25 janar 2021) për fermat bujqësore, vreshtat, produktet e mishit e qumështit, parashikon të disbursohen rreth 30 milionë euro të tjera investime në këtë sektor.