Ditën e sotme, Partia Demokratike prezantoi planin e saj për ekonominë e vendit. Një prej premtimeve kyçe të Lulzim Bashës është krijimi i 110 mijë vendeve të reja të punës.
A është e mundur diçka e tillë? Shohim shifrat. Për shkak të COVID-19, papunësia e Shqipërisë është rritur nga 11.2% në 11.6%. Aktualisht, në Shqipëri janë të punësuar rreth 1.27 milionë persona.Njerëz të papunë janë 165 mijë, nga të cilët vetëm 74 mijë kërkojnë punë.Nëse krijohen 110 mijë vende të reja pune, norma e papunësisë së Shqipërisë do të bjerë në nivelin e 4%.
Me llogaritë e Bashës, Shqipëria do të ketë një papunësi më të ulët se SHBA (6.9%), Gjermania (aktualisht me 6%), Franca (8.6%), Anglia (7.5%). Madje më të ulët edhe se Belgjika, vendi me papunësi më të ulët në Europë, me 5.1%. Llogaria bëhet edhe më keq nëse llogariten vetëm punëkërkuesit e papunë, ata që kanë vërtet rëndësi.
Me këtë llogari, Shqipëria jo vetëm që zhduk fenomenin e papunësisë, por krijon një surplus vendesh pune prej 36 mijë të tilla.Çdo ekspert ekonomie mund të kuptojë se një plan i tillë është thjesht i parealizueshëm. Një premtim ose më mirë mashtrim i qartë elektoral. Sidoqoftë, koherent me kohën kur mentori i tij, Kryeministri Berisha deklaronte se Shqipëria ishte e dyta në Europë pas Gjermanisë.